Presidenti i Kinës, Xi Jinping sot deklaroi se vendi i tij kurrë nuk do të përkulet para asnjë kërcënimi dhe vendi i tij nuk do të bëjë kompromis rreth sovranitetit të saj dhe sigurisë së vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pa përmendur asnjë vend, Jinping tha se duhet të flitet me pushtuesit me gjuhën që ata e kuptojnë, raportoi “Global Times”.
“Populli kinez nuk do të qëndrojë kurrë duarkryq ndërsa minohet sovraniteti, siguria dhe interesat e zhvillimit të Kinës dhe nëse ndodhin situata të tilla, ata me siguri do të ballafaqohen me ta ballë për ballë”, citoi e përditshmja të ketë thënë Jinping në një takim sot gjatë shënimit të 70-vjetorit të hyrjes së ushtrisë Vullnetare Popullore Kineze (CPV) në Korenë e Veriut në luftën për t’i rezistuar agresionit të SHBA-së dhe për të ndihmuar Korenë.
“Është e nevojshme t’u flasësh pushtuesve në gjuhën që ata e kuptojnë: pra, një luftë duhet të bëhet për të parandaluar pushtimin dhe dhuna duhet të kthehet me dhunë”, tha presidenti kinez, duke shtuar se vendi i tij nuk kërkon kurrë hegjemoni dhe as zgjerim dhe është i vendosur kundër hegjemonizmit dhe politikës së forcës.
Aktualisht, Kina ka marrëdhënie të tensionuara me SHBA-të, Australinë dhe Indinë. Marrëdhëniet me SHBA-të u përkeqësuan pasi presidenti amerikan, Donald Trump akuzoi Pekinin se lejoi përhapjen e koronavirusit (COVID-19) pas shfaqjes së saj në Wuhan të Kinës.
Washingtoni gjithashtu dënoi shumë kompani kineze, përfshirë gjigantin e teknologjisë Huawei, lidhur me pretendimet për lidhje me Partinë Komuniste të Kinës.
Trupat indiane dhe kineze janë ngatërruar gjithashtu në një ballafaqim të ngritur përgjatë vijës së kontrollit aktual, një kufi “de facto” pranë rajonit Ladakh të Himalajeve në rajonin e diskutueshëm Jammu dhe Kashmir, ku 20 ushtarë indianë u vranë në qershor. Që nga ajo kohë, janë mbajtur një seri takimesh midis dy vendeve por pa sukses.
“Kombi kinez kurrë nuk do të përkulet para kërcënimeve ose do të nënshtrohet nga shtypja”, paralajmëroi Jinping.
“Ndjekja e unilaterizmit, proteksionizmit dhe egoizmit ekstrem nuk çon askund. Shantazhet, bllokadat dhe presioni ekstrem thjesht nuk do të funksionojnë. Çdo akt hegjemonie dhe ngacmimi nuk do të funksionojë kurrë. Kjo përfundimisht do të çojë në një rrugë pa krye”, tha Xi.
Presidenti kinez lavdëroi Vullnetarët Popullorë Kinezë dhe tha se ata mposhtën agresorët dhe motivet e imperializmit dhe ruajtën sigurinë e Kinës së re.
“Fitorja e madhe e Luftës për t’i rezistuar agresionit të SHBA-së dhe ndihma e Koresë do të gdhendet përgjithmonë në historinë e kombit kinez dhe historinë e paqes, zhvillimit dhe përparimit të njerëzimit”, shtoi Jinping.
Ai tha se “Lufta ruajti gjithashtu jetën paqësore të popullit kinez, stabilizoi situatën në Gadishullin Korean dhe mbështeti paqen në Azi dhe botë”.
Më 19 tetor 1950 me kërkesë të Koresë së Veriut, forcat vullnetare kineze kaluan lumin Yalu për të ndihmuar në luftën e Koresë së Veriut. Vullnetarët nisën betejën e tyre të parë më 25 tetor kundër një batalioni të trupave të Syngman Rhee. Në vitin 1951, sipas “Global Times”, Partia Komuniste e Komitetit Qendror të Kinës vendosi të përkujtojë luftën çdo vit në këtë datë.
Top Channel