Gjatë ditëve të fundit, media të shumta kanë aluduar, se Andi Shehu, konkurrenti i “Për’Puthen 2”, ka pasur një të shkuar të errët, të lidhur me sherre dhe drogë.
Madje postuan foto të 24-vjeçarit me një vajzë tjetër, për të cilën mediat pretendonin se ai ishte i fejuar. Por këtë të enjte, Andi ishte i ftuar në emisionin “Shqipëria Live”, për të folur rreth këtyre lajmeve. Ashtu sikurse sqaroi edhe disa ditë më parë në studion e “Për’Puthen”, Andi tha se lajmet që po qarkullojnë me shpejtësi në rrjet nuk janë të vërteta. Ai pranoi se me vajzën e fotove ka pasur një lidhje disa mujore, por kurrë sipas tij nuk përparoi në një fejesë apo martesë.
“Kam qenë vetëm i lidhur, por jo i fejuar. Populli me llafe ka qejf të merret, por unë do të them të vërtetën time. Por edhe nëse do kisha qenë i fejuar apo i martuar do e thosha, se për aq kohë sa jam në emision do të thotë se ka përfunduar. Lidhja ka zgjatur 6-7 muaj, ka qenë marrëdhënie në distancë dhe prandaj ka përfunduar. Kam patur 2-3 histori më para që kanë zgjatur dhe më shumë, se di pse është përfolur kjo. Kam patur gjithmonë lidhje, jo fejesa, madje as njohje familjare”, tha Andi.
Ndërkohë dy moderatorët e njohur e ngacmuan atë dhe e pyetën nëse ka frikë nga fejesa apo martesa, ai u shpreh: “Është mosha ideale për të njohur një person që ta kesh përkrah”.
Sa i takon të “shkuarës së erret”, Andi tha se e gjitha nisi pas një hezitimi të tij për të folur për këtë temë në takimin me Tean. Pas kësaj, mediat nisën menjëherë të sajonin sipas tij dhjetëra hisotri të pavërteta.
“Unë jam këtu ditë për ditë në televizion dhe dua të shikoj se deri ku shkon fantazia e tyre. Unë dua që vetëm të shohin si jam unë sot, pa përfshirë të shkuarën time”, shtoi konkurrenti i Përputhen.
Moderatorët e pyetën nëse ka reflektuar nga e shkuara e errët?
“Nuk është aq e errët. Njeriu mëson nga gabimet e veta, por e shkuara nuk të bën që të formosh karakterin që ke sot. Sigurisht që ka një përqindje të vogël, por janë familja dhe shoqëria ata që ndikojnë më shumë. Adoleshenca ime nuk krenohem shumë. Puna e shkollës, jam penduar”, tha ai.
Në fund, Andi i bëri thirrje të rinjve të ndjekin studimet, pasi në këtë mënyrë mund t’i ofrohen rrugë të reja.
“Të lartën nuk e kam bërë, ndërsa të mesmen kam ndryshuar 2 shkolla. Nuk rrija dot në një vend, jo lija mësimin e kështu. Por ato orë që kam bërë mësim, e kuptoja se çfarë thoshte mësuesja. Edhe mesataren e kam patur të lartë në gjimnaz. Unë kam vëllain që është dita me natën me mua. Ai po nis të lartën dhe jam shumë krenar për të. Do ja shohë hajrin shkollës”, përfundoi ai.
Top Channel