Qeveria ka hartuar një projekt buxhet shumë optimist, me theks elektoral dhe që nuk adreson nevojat e emergjencës shëndetësore të Covid-19.
I këtij mendimi është eksperti për ekonominë Zef Preçi, sipas të cilit investimet në rrugë e projekte të tjera infrastrukturore nuk janë zgjidhje për krizën.
Zef Preçi: Padyshim që është një buxhet aspak realist dhe siç ka ndodhur nga çdo qeveri në kohë fushate bën që të jetë shumë optimist për situatën që po kalon vendi. Janë një sërë investimesh publike të pakërkuara që mund të prisnin, nuk janë emergjente në këtë moment krize ku fondet duhet të përqendroheshin në kapërcimin e saj.
Ndërsa deputeti i Partisë Socialiste Ervin Bushati e ka cilësuar atë buxhetin e rimëkëmbjes, teksa shton se investimet e planifikuara dhe rindërtimi pritet t’i japin një hov zhvillimi ekonomik vendit gjatë 2021.
Ervin Bushati: Padyshim që është buxheti i rimëkëmbjes. Është moment kur Financat duhet të veprojnë pasi kjo është një luftë. Investimet e planifikuara janë padyshim të nevojshme sepse hapin fronte pune dhe rindërtimi nga ana tjetër do të jetë energji e shtuar për ekonominë.
Eksperti Zef Preçi është skeptik edhe për parashikimin optimist sipas tij në mbledhjen e të ardhurave , pasi mund të shtojë presionin e financave për rritje të taksave.
“Rekomandohet zgjerimi i bazës së tatimpaguesve dhe formalizimi i ekonomisë. Kjo është mënyra më e mire për të rritur të ardhurat. Shpresoj që financat në përpjekje për të arkëtuar më shumë të mos rrisin taksat.”
E teksa në 2021 është parashikuar një diferencë e lartë mes shpenzimeve dhe të ardhurave, ça mund të detyrojë qeverinë të marrë borxh duke rritur kështu më tej nivelin e borxhit publik, për Bushatin ky nuk është moment për të vendosur targete.
Bushati: Nuk është moment për të vendosur targete. Është një moment lufte dhe ne po bëjmë atë që bëjnë vendet e tjera. Pasi pandmeia të vihet nën kontroll mund të shikohen treguesit e tjerë.
Borxhi publik për këtë vit pritet të arrijë në nivele rekord prej 80.9% sipas parashikimeve të ekzekutivit, ndërsa pret që vitin e ardhshëm të ndjekë një trajektore rënëse në 78.6%.
Top Channel