Një ekologe e njohur ruse ka vdekur prej pickimit të një grerëze të fshehur në një kuti kartoni të lëngut të frutave.
39 vjeçarja Alexandra Astavina, u gjet e vdekur në apartamentin e saj në Moskë pasi ishte pickuar në buzë nga grerëza, teksa kishte pirë direkt nga kutia e kartonit.
Në kohën e incidentit Astavina po fliste në telefon me një shoqe, të cilës i tregoi se ishte pickuar. Pas mbylljes së papritur të telefonatës, mikesha kishte ardhur me urgjencë në shtëpinë e Astavina por ajo nuk përgjigjej.
Shërbimet e emergjencës hynë me forcë në shtëpi dhe e gjetën Astavina të vdekur në divan.
Ato gjetën gjithashtu grerëzën që përpëlitej në tavolinë.
Autoritetet thanë se Astavina kishte vdekur nga shoku anafilaktik i shkaktuar nga helmi i grerëzës.
Djali i saj dy-vjeçar Luka, u gjet në gjumë në dhomën tjetër dhe tashmë për të kujdesen të afërmit e viktimës.
Astavina ishte bashkuar me Partinë e Gjelbër ruse në 2007 dhe ishte aktiviste ambjentaliste që prej moshës së re.
“Prezenca e saj ishte e ndjerë kudo për ne, mbrojtja e natyrës dhe e të drejtave të njerëve e kafshëve, ishin patriotizmi i saj ekologjik”, thuhej në eulogjinë e Partisë së Gjelbër për humbjen e Astavina.
Top Channel