Presidenti amerikan Donald Trump ka përsëritur së fundmi sugjerimin e tij se Osama bin Laden, kreu i grupit terrorist al-Kaeda është ende gjallë dhe se operacioni për vrasjen e tij në Pakistan, ishte një sajesë.
Trump ripostoi në llogarinë e tij zyrtare një deklaratë të grupit të konspiracioneve QAnon, që nxit supozimet se kreu i grupit terrorist nuk ka vdekur.
“Ky ishte opinioni i dikujt dhe unë po e ripostoj. njerëzit le të vendosin vetë”, tha Trump për postimin e tij gjatë një interviste me rrjetin NBC.
Duke u pyetur nga moderatorja e NBC Savannah Guthrie, Trump refuzonte të hidhte poshtë teorinë e QAnon, duke thënë: “Ishte thjesht një riposim, unë bëj shumë ripostime.”
Sugjerimi i Trump se Bin Laden është gjallë dhe se operacioni për vrasjen e tij ishte një farsë, hasi në kundërshtimin e ushtarakëve që morën pjesë në operacion.
Robert O’Neill, një ish-marins që ka thënë publikisht se ka vrarë Bin Laden në sulmin e vitit 2011 të urdhëruar nga President Barack Obama, dënoi Trump për promovimin e pretendimeve.
“Disa burra të guximshëm shkuan atje për të vrarë Osama bin Laden. Ne na e dha urdhrin President Obama. Ai që vramë nuk ishte një sozi. Falemnderit zoti President”, tha O’Neill.
Në të tjera teori konspiracioni të grupit QAnon, thuhet se sulmet e 11 shtatorit në SHBA ishin një operacioni i rremë i brendshëm, dhe se Bin Laden ishte një kukull e “kompleksit industrial ekonomiko-ushtarak” të SHBA.
Top Channel