Republikanët nxisin konfirmimin e Amy Coney Barrett

21/10/2020 03:51

Pa humbur kohë, Senati amerikan po shkon drejt konfirmimit të kandidaturës së gjykatëses Amy Coney Barrett për vendin bosh në Gjykatën e Lartë deri të hënën e ardhshme. Gjatë fundjavës pritet të zhvillohet një seancë e rrallë ndërsa republikanët po nxitojnë me hapat proceduralë për të zëvendësuar vendin bosh me emrin e zgjedhur nga Presidenti Donald Trump para ditës së zgjedhjeve.

Udhëheqësi i shumicës në Senat Mitch McConnell tha se ai do ta nisë procesin sapo Komisioni Juridik i Senatit të përfundojë punën e tij të enjten. Me kundërshtinë vetëm të dy senatorëve republikanë nga 53 gjithsej, emri i propozuar nga zoti Trump po shkon drejt konfirmimit, çka do të vuloste një shumicë konservatore në gjykatë për vitet që vijnë.

Zoti McConnell tha të hënën se zonja Barrett demonstroi gjatë seancave dëgjimore publike “një fuqi të dukshme intelektuale”, të cilën tha siç tha ai, “populli amerikan e meriton ta ketë në Gjykatën e Lartë”. Në kushtet kur nuk i kanë votat për të ndaluar konfirmimin e zonjës Barrett, demokratëve u mbeten pak opsione.

Ata janë në kërkim edhe të dy senatorëve të tjerë republikanë për të thyer radhët e tyre e për të ndalur konfirmimin, gjë që duket e pamundur. Asnjëherë më parë nuk është votuar për konfirmimin e një kandidature për në Gjykatën Lartë kaq pranë zgjedhjeve presidenciale. Udhëheqësi demokrat i Senatit Chuck Schumer denoncoi atë që ai e quajti një proces “farsë”.

“Shumica republikane po zhvillon procesin më hipokrit, më të njëanshëm dhe më pak të ligjshëm në historinë e konfirmimeve për anëtarë të Gjykatës së Lartë”, tha ai gjatë një fjalimi në Senat. Komisioni Juridik i Senatit pritet të mblidhet të enjten për të votuar duke ia çuar kandidaturën e zonjës Barrett për votim Senatit.

Prej së premtes pritet votimi procedural, proces që do të vazhdojë edhe gjatë fundjavës ndërsa republikanët po përshpejtojnë hapat për një votim përfundimtar për të konfirmuar zonjën Barrett të hënën (26 tetor). Gjykatësja 48 vjeçare dha disa përgjigje specifike gjatë seancave publike dëgjimore në Kongres ndërsa senatorët e pyetën rreth pikëpamjeve të saj të mëparshme kundër abortit, Aktit të Kujdesit të Përballueshëm ose i ashtuquajturi Obamacare, si dhe çështjeve të tjera me të cilat mund të përballet Gjykata e Lartë.

Ajo nuk pranoi të thoshte nëse do të hiqte dorë nga shqyrtimi i një mosmarrëveshjeje zgjedhore mes presidentit Donald Trump dhe demokratit Joe Biden. Presidenti Trump ka thënë se dëshiron që gjykatësja të zërë vendin bosh, në kohë për të shqyrtuar një mosmarrëveshje të mundshme që mund të dalë nga procesi i 3 nëntorit.

Ai ka thënë gjithashtu se kërkon një anëtar të Gjykatës së Lartë që do të vendoste kundër ligjit për kujdesin shëndetësor të miratuar gjatë administratës Obama, një çështje që kjo gjykatë pritet ta shqyrtojë më 10 nëntor. Nëse konfirmohet zonja Barrett do të ishte gjykatësja e tretë e emëruar nga zoti Trump. Ajo do të plotësonte vendin bosh të krijuar si pasojë e vdekjes së ikonës liberale Ruth Bader Ginsberg, duke krijuar një shumicë korservatore 6 me 3 në Gjykatën e Lartë./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA