Kompania Microsoft tha të martën se kishte çaktivizuar më shumë se 90 për qind të pajisjeve të përdorura nga një bandë kriminelësh kibernetikë rusishtfolës, sepse ajo kontrollonte një rrjet masiv kompjuterash me potencial për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane.
Me ndihmën e një numri urdhrash gjyqësorë amerikanë dhe marrëdhënieve me kompani teknologjike në vendet e tjera, Microsoft tha se fushata e saj njëjavore kundër bandës që drejtonte rrjetin “Trickbot” po shkonte drejt eleminimit të një burimi të mundshëm të ndërhyrjes dhe dëmtimit të procesit të votimit më 3 nëntor në Shtetet e Bashkuara.
“Ne kemi shkatërruar pjesën më të madhe të infrastrukturës së tyre”, tha Zëvendës Presidenti i Microsoft-it Tom Burt në një intervistë. “Aftësia e tyre për të sulmuar dhe infektuar objektiva është ulur ndjeshëm”, shtoi ai. Kriminelët që kontrollonin rrjetin “Trickbot” kanë infektuar më shumë se 1 milion kompjuterë personalë, përfshirë shumë kompjuterë të qeverive lokale, sipas ekspertëve të sigurisë kibernetike. Ata më pas bëjnë marrëveshje me bandat e tjera për të instaluar ransomware (viruse kompjuterike) dhe programe të tjera në kompjuterët e infektuar, thonë ekspertët e sigurisë.
Megjithëse nuk ka asnjë provë se banda ka punuar me qeveri të huaja, Burt tha se ai synonte të shkatërronte rrjetin “Trickbot” para zgjedhjeve në rast se agjencitë ruse do të përpiqeshin ta përdornin atë për të ndërhyrë në zgjedhje ose për të hedhur dyshime mbi rezultatet përmes manipulimit të rezultateve. Disa ekspertë të sigurisë që kishin parë pak ndikim nga përpjekjet fillestare të Microsoft-it për të luftuar rrjetin “Trickbot”, thanë këtë javë se serverat e rinj të kontrollit që po kyçeshin në internet nga banda të ndryshme po ndërpriteshin, duke e bërë më të vështirë për grupin që të instalonte programe të reja në kompjuterët e infektuar.
“Operacionet kundër rrjetit “Trickbot” aktualisht janë të natyrës globale dhe kanë patur sukses kundër infrastrukturës së këtij rrjeti”, tha Shefi Ekzekutiv i kompanisë “Intel 471”, Mark Arena. “Megjithatë, ekziston ende një numër i vogël i kontrollorëve që punojnë në Brazil, Kolumbi, Indonezi dhe Kirgistan që ende janë në gjendje të përgjigjen”, shtoi ai.
Banda e rrjetit kompjuterik “Trickbot” tani po kërkon grupe të tjera të viruseve kompjuterike për të instaluar programin e saj, thonë ekspertët, dhe pritet të rindërtojë infrastrukturën e saj në mënyra të tjera. Burt tha se përpjekje të tilla për t’u përshtatur, të paktën do të heqin vëmendjen e bandës nga shkaktimi i kaosit në votime ose veprimtari të tjera kundër qeverive vendore nëse ato kanë patur në plan t’i bënin ato.
Top Channel