Qeveria ka miratuar në një mbledhje të posaçme të saj Projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, i cili  ka si synim rimëkëmbjen ekonomike të vendit pas dy fatkeqësive natyrore si tërmeti i  26 Nëntorit 2019 dhe pandemia e shkaktuar nga COVID-19.

Sipas qeverisë rritja ekonomike parashikohet në 5.5 % në vitin 2021 dhe pritet të konvergojë rreth nivelit prej 4 % përgjatë periudhës afatmesme në vijim.

Në këtë projektbuxhet është parashikuar rritja e pagave të stafit mjekësor dhe të mësuesve.

Ndërsa norma e papunësisë parashikohet me ulje në 2021 në nivelin 12.2% krahasuar me parashikimin e vitit 2020 prej 13.9%.

Sakaq prioritetet kryesore të buxhetit të vitit 2021 do të jenë:

  • Procesi i Rindërtimit do të financohet me 28 mld lekë në vitin 2021, ndërkohë, që mbi këtë edhe 1.5 mld lekë parashikohen të  vijojnë  financimin e bonusit të  qirave për familjet e pastreha si pasojë  e tërmetit të  26 Nëntorit 2019;
  • Shëndetësia do të vijojë  të  financohet me prioritet, ku një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet përballimit të pandemisë COVID-19, përfshirë edhe blerjen e vaksinës Anti-Covid 19, si dhe do të ketë një rritje prej 40% të pagave për mjekët, infermierët dhe laborantët e sistemit shëndetësor me një  kosto totale vjetore prej 4.5 mld lekë ;
  • Arsimi do të përfitojë një financim në rritje, ku spikat rritja me 15% e pagës së mësuesve të sistemit arsimor parauniversitar me një kosto prej 3.5 mld lekë si dhe financimi i prioriteteve të Paktit për Universitetin;
  • Fermerët, krahas skemës së mbështetjes me grante nga buxheti i shtetit dhe nga fondet e IPARD si dhe nga fondi i garancisë të bashkëfinancuar me BERZH, do të mund të përfitojnë nga skema e subvencionimit të naftës, e cila do t’i kushtojë buxhetit të shtetit për vitin 2021 rreth 1 miliardë lekë.
  • Infrastruktura, ku do të investohet në projektet e mëdha si Tuneli i Llogarasë, Unaza e re e Tiranës, rruga Kardhiq-Delvinë etj., si edhe zgjerimi i rrjetit të rrugëve kombëtare dhe akseve rrugore me rëndësi për zhvillimin ekonomik të rajoneve.

 

Top Channel