Delegacioni shqiptar zhvillon takim online me përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe FMN-së

20/10/2020 10:19

Gjatë ditës së hënë (19.10.2020), Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, kanë zhvilluar takime online me Anna Bjerde, Zëvendëspresidente e Bankës Botërore për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore dhe me Alfred Kammer, Drejtor i Departamentit për Evropën në FMN, në kuadër të Mbledhjeve Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB).

Gjatë takimit, Ministrja Denaj dhe Guvernatori Sejko janë shprehur se ekonomia shqiptare ka qenë nën efektin e fortë të pandemisë gjatë gjysmës së parë të vitit, sidomos në tremujorin e dytë të vitit 2020, si rrjedhojë shumica e indikatorëve ekonomikë pritet të ndikohen nga pasojat negative të pandemisë këtë vit.

Për sa i përket sistemit bankar, Guvernatori është shprehur se pandemia e gjeti sistemin me tregues të mirë financiarë, si dhe me një nivel të mirë kapitalizimi dhe likuiditeti. Ky sektor, ka theksuar Sejko , ka vijuar pa asnjë ndërprerje aktivitetin normal dhe ka qëndruar i gatshëm të japë kontributin e nevojshëm për përballimin dhe tejkalimin e situatës së krijuar nga pandemia Covid-19.

Përfaqësuesit e BB dhe FMN-së kanë vlerësuar kontributin e dhënë nga autoritetet shqiptare në menaxhimin e goditjes së pandemisë në ekonomi veçanërisht nëpërmjet harmonizimit të politikës fiskale me atë monetare, mbështetjen e dhënë në drejtim të qytetarëve dhe bizneseve të cenuara nga goditjet si dhe ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të Shqipërisë.

Top Channel