Argjentina ka kaluar shifrën prej një milion rasteve me koronavirus, teksa në kryeqytet, Buenos Aires është regjistruar numri më i madh i infektimeve të reja.
Sipas raportit të fundit të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë së Argjentinës, gjatë 24-orëve të kaluara, janë regjistruar 12,982 raste të reja, duke e çuar në 1,002,649 numrin e përgjithshëm të rasteve.
Numri i viktimave është mbi 26,000 ndërkaq, mbi 800,000 argjentinas janë shëruar nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.
Argjentina – që në mars regjistroi rastet e para me koronavirus – është shteti i pestë në botë me numrin më të madh të rasteve me COVID-19, pas Shteteve të Bashkuara, Indisë, Brazilit dhe Rusisë.
Shumica e rasteve të reja në Argjentinë janë regjistruar në Buenos Aires dhe në periferi të këtij qyteti.
Në Argjentinë ka disa kufizime sa i përket udhëtimeve, por asnjë rajon nuk është në karantinë strikte.
Top Channel