Ka mjaftuar shembulli i dy shtëpive të rindërtuara në zonën Petrelës, pas dëmtimeve të rënda që pësuan nga tërmeti vitin e kaluar, për të kuptuar diferencën e madhe mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike të drejtuar nga Lulzim Basha.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nga mbledhja e Asamblesë së Partisë Socialiste në Baldushk, tha se lideri i forcës më të madhe opozitare sot në vend gëzon 2 supervila falë shantazheve dhe kërcënimeve ndaj të njëjtit biznesmen, bujaria e të cilit ka bërë sot me shtëpi dy familje të cilat do t’i jenë mirënjohëse përjetë.
“Dikush që na kishte parë sot tha: lali Eri, këto shtëpi i ka bërë ky oligarku që i ka dhënë edhe dy vila Lul Bashës, mos harro! I thashë, lali, ka një diferencë shumë të madhe: kur Partia Socialiste i kërkon ndihmë një sipërmarrësi, i kërkon për të ndihmuar Afërditën dhe Mirelën, kur Partia Demokratike i bie në qafë një sipërmarrësi, e bën për Lulin edhe për kunatin. Por ka dhe një diferencë shumë të madhe: kur i njëjti sipërmarrës, i njëjti biznesmen, i njëjti ndërtues jep dy shtëpi për Mirelën dhe për Afërditën, quhet filantrop, kur i njëjti person detyrohet të japë për Lulin dhe për kunatin, kjo quhet gjobë, kjo quhet shantazh dhe kjo është diferenca,” u shpreh drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Tiranën, Erion Veliaj.
Me të njëjtën llogjikë, tha Veliaj, sot janë të mërzitur me historinë e plehrave në Tiranë.
“Shoh që sot janë të mërzitur që Tirana është më e pastër. Sot janë të mërzitur që në vend të atij mullarit me plehra është një kodër e gjelbër. Sot janë të mërzitur që në vend të atyre zjarreve që digjeshin të gjitha lëndët kancerogjene që vinin pastaj në mushkëritë tona, sot janë mbjellë 10 mijë pemë dhe është bërë 30% më lirë se plani i tyre. Po sigurisht që janë të mërzitur se iu kemi prishur biznesin, ” tha më tej Veliaj.
Top Channel