“#Imwithsanna”. Ky është hashtagu i përdorur nga finlandezët për një fushatë në mediat sociale, në mbrojtje të kryeministres së tyre 34 vjeçare, Sanna Marin. Gjithçka ka filluar nga një shërbim fotografik në një revistë vendase për femra, shumë popullore, Trendi, për të cilën, Marin ka pozuar me një xhaketë shumë të hapur.
Një zgjedhje kjo që ka ndezur polemika. “E papërshtatshme dhe provokuese”, “Nuk mendon të qeverisë vendin por do të bëjë modelen”, “Jemi në mes të pandemisë dhe ajo zhvishet”, këto janë disa nga kritikat në adresë të saj. Por, me qindra finlandezë nuk kanë ngurruar ta mbrojnë atë në rrjet. Gra dhe burra, që kanë mbushur rrjetin social me foto të dekolteve të shoqëruara nga hashtagu “Unë jam me Sannën”.
Esenca e të gjitha postimeve në mbrojtje të kryeministres, është se nuk është një veshje ajo që mat besueshmërinë. “Duam një botë në të cilën një grua nuk duhet të shqetësohet se po humbet besueshmërinë për shkak të një dekolteje”, shkruajnë përdoruesit. Në mbështetje të saj janë hedhur edhe personalitete të vendit, mes të cilëve edhe ish presidentja e Finlandës, Tarja Halonen, që e ka përgëzuar Marin.
“Mirëseerdhe në klubin e grave politike, fiziku i të cilave është vazhdimisht në vëmendje dhe i diskutuar, në kundërshtim me burrat që krejt qetësisht mund të shfaqen me gjoksin jashtë, pa u komentuar nga askush. E në fakt, edhe në intervistën e gjatë që i ka dhënë revistës, kryeministrja e re e Finlandës flet pikërisht për faktin se si zgjedhjet personale të një gruaje janë gjithë objekt analizash dhe debati. Ajo shpjegon se për të evituar obsesionin për pamjen, e ndryshon sa më pak që mundet lukun e saj.
Top Channel