Vrasja e mësuesit në Paris/ Macron e quan terrorizëm islamik

17/10/2020 12:41

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron e ka quajtur “sulm terrorist islamik” vrasjen e një mësuesi në periferi të Parisit.

Viktima – të cilit iu pre koka – thuhet se ka treguar karikatura të Profetit Muhamed para nxënësve të tij. Sulmuesi është qëlluar për vdekje nga autoritetet e rendit. Macron tha se mësuesi – i cili ende nuk është identifikuar – është vrarë sepse ka mësuar “lirinë e shprehjes”.

“Ata nuk do të fitojnë… Ne do të veprojmë”, tha Macron teksa vizitoi vendin ku ndodhi vrasja.

Sulmi ndodhi rreth orës 17:00 sipas kohës lokale gjatë të premtes. Kjo ngjarje po hetohet nga prokurorët për terrorizëm. Sipas gazetës Le Monde, viktima ishte mësues i historisë dhe gjeografisë. Ai, sipas kësaj gazete, kishte shfaqur karikatura të Profetit Muhamed para nxënësve, si pjesë e lirisë së shprehjes. Por, kjo gazetë ka raportuar se mësuesi u ka kërkuar nxënësve myslimanë të largohen nga klasa, nëse ata ndihen të ofenduar me shfaqjen e pamjeve të Profetit. Policia franceze ende nuk ka dhënë asnjë detaj për sulmuesin, ndonëse mediat kanë raportuar se bëhet fjalë për një 18-vjeçar me origjinë çeçene, që kishte lindur në Moskë. Burimet nga policia thanë se dëshmitarët e kanë dëgjuar sulmuesin të thotë “Allahu Akbar”, ka raportuar agjencia e lajmeve Reuters.

Sipas mediave franceze, deri më tani nëntë persona janë arrestuar, përfshirë dhe një të mitur. Mediat franceze, duke iu referuar burimeve brenda sistemit gjyqësor, thanë se në mesin e të arrestuarve janë edhe familjarë të sulmuesit dhe prindërit e një fëmije ku jepte mësim mësuesi i vrarë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA