Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se Moska nuk sheh ndonjë perspektivë për zgjatjen e traktatit për kontrollin e armëve me Shtetet e Bashkuara – të njohur si START-i i Ri – edhe pse planifikon t’i vazhdojë negociatat për këtë temë.
“Unë personalisht nuk shoh perspektiva të tilla. Kolegët e mi, që po punojnë në një format ndërinstitucional dhe po mbajnë takime me delegacionin amerikan, nuk shohin perspektiva të tilla. Megjithatë, ne kurrë nuk do ta përplasim derën dhe t’iu japim fund të gjitha kontakteve”, tha Lavrov në një intervistë për radio-stacionet ruse.
Ai i cilësoi si “të paskrupullta” sugjerimet e të dërguarit amerikan për kontrollin e armëve, Marshall Billingslea, se Uashingtoni dhe Moska kanë arritur “një marrëveshje në parim” për të zgjatur traktatin e tyre të fundit për kontrollin e armëve bërthamore, për një periudhë të paspecifikuar.
START-i i Ri, i arritur në vitin 2010, kufizon armët strategjike bërthamore.
Ai pritet të skadojë në shkurt, por mund të zgjatet për pesë vjet.
Billingslea ka thënë më 13 tetor se ndalesa duhet të përfshijë edhe sistemet taktike të armëve bërthamore me rreze të shkurtër – gjë që nuk është përfshirë në START-in e Ri.
Por, homologu i tij rus, Sergei Ryabkov, ka thënë se propozimi amerikan është “i papranueshëm”.
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, dëshiron që çdo traktat i ri për kontrollin e armëve bërthamore t’i mbulojë të gjitha llojet e kokave bërthamore, të ketë masa më të fuqishme verifikimi dhe transparencë më të madhe, si dhe ta përfshijë Kinën.
Rusia thotë se është e gatshme ta zgjasë START-in e Ri për pesë vjet pa parakushte dhe paralajmëron se nuk ka kohë të mjaftueshme për të rinegociuar një traktat të ri të komplikuar.
Top Channel