Covid-19 gjunjëzoi turizmin/ U larguan nga puna gjysma e punonjësve. 60% e biznesit bëri xhiro deri në 10%

14/10/2020 19:43

Kriza e Covid-19 ka gjunjëzuar industrinë e turizmit në vend, pasi rreth 40.5% e tur operatorëve dhe agjencive turistike pohojnë se mund të mbijetojnë vetëm deri në fund të 2020-ës në rast se nuk përfitojnë ndihmë nga qeveria.

Këto janë rezultatet e sondazhit të Shoqata Shqiptare e Tur operatorëve dhe Agjencive turistike, sipas të cilit rreth 60% e subjekteve të pyetura mbi gjendjen e kësaj kategorie biznesi deklarojnë se kanë bërë këtë sezon vetëm 0 -10% të xhiros së një viti më parë.

Kliton Gërxhani, nënkryetar i Shoqatës së Tur Operatorëve: “Situata është alarmante pasi pjesa më e madhe e këtyre bizneseve (agjenci, transport turistik, guidat turistike) nuk kanë zhvilluar thuaje aktivitet në këtë sezon. Humbjet janë të mëdha krahasuar me një vit normal si ai i 2019-ës “.

Shqetësuese situata paraqitet edhe lidhur me të larguarit nga puna, pasi sipas sondazhit mbi gjysma e punonjësve kanë humbur vendet e punës gjatë këtij viti, kryesisht nga bizneset e mëdha.

Në këto kushte, përfaqësuesit e këtij sektori që numëron mbi 380 mijë të punësuar direkt dhe indirekt në të gjithë vendin i kanë dërguar një letër zyrtare qeverisë ku kërkojnë mbështetje për të shmangur falimentin.

Kliton Gërxhani, nënkryetar i Shoqatës së Tur Operatorëve: “Mbi 60% janë larguar nga puna. 40-50 mijw direkt dhe rreth 150 mijw indirekt. Kjo situatë mund të vijojë më tej, me pushime të tjera nga puna. Kërkojmë zgjatje të programit të ripunësimit për të larguarit, mbështetjet për punonjësit që janë në punë dhe grante 3 – 4 mln euro. Ne kërkojmë vetëm 1/8 – 1/9 e asaj që kemi humbur. ”

Pesimiste paraqitet edhe e ardhmja për tur operatorët dhe agjencitë turistike, pasi të pyetur se si e shikojnë vitin 2021, rreth 74.5% e bizneseve e cilësojnë atë të paqartë dhe vetëm 21% e tyre shpresojnë që puna të rifillojë normalisht në pranverën e ardhshme.

Genta Dobra

Top Channel