Rusia tha se do të dëbojë dy diplomatë bullgarë, gati tri javë pasi dy pjesëtarëve të stafit të Ambasadës ruse në Sofje, të akuzuar për spiunim, u është thënë të largohen.
Duke e përshkruar veprimin e Bullgarisë si të pabazë, Ministria e Jashtme e Rusisë tha se e ka thirrur ambasadorin bullgar në Moskë, Atanas Krystin, për ta informuar se dy diplomatë, me seli në Moskë, janë shpallur “persona të padëshirueshëm”. Autoritetet bullgare i kanë shpallur dy diplomatët rusë “persona të padëshirueshëm” më 23 shtator, nën akuzat se kanë mbledhur informacione sekrete shtetërore për planet e Bullgarisë për modernizmin ushtarak.
Procedimi penal kundër tyre nuk ka mundur të vazhdojë, pasi ata kishin imunitet diplomatik. Ambasada ruse në Sofje ka thënë atëbotë se nuk ka prova për të justifikuar “dëbimin e paarsyeshëm” të diplomatëve të saj. Bullgaria është anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian, me lidhje përgjithësisht të mira me Rusinë, e cila e furnizon atë me energji. Sofja, edhe në janar, ka dëbuar dy diplomatë rusë, nën dyshimet se kanë ndjekur informacione të klasifikuara.
Top Channel