Policia e Kosovës arrestoi një person në afërsi të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), në rrugën Prishtinë – Fushë Kosovë, pasi në veturën e tij u gjet një granatë dore.
Policia e Kosovës tha se rreth orës 6:00 të mëngjesit të së premtes është njoftuar për një person të dyshuar që kishte ndaluar veturën në afërsi të objektit të AKI-së.
“Njësitet policore kanë ndërmarrë veprimet e menjëhershme në vendin e ngjarjes, ku personin e dyshuar e kanë ndaluar dhe shoqëruar në stacionin policor. Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, në veturën e personit të dyshuar – mashkull, kosovar (E. B. 1993) – është gjetur dhe konfiskuar një granatë dore. Po ashtu vetura e dyshuar është konfiskuar nga policia”, njoftoi Policia e Kosovës.
Për këtë rast, ajo tha se do të kryhen hetime të mëtejshme.
Për shkak të operacionit të policisë, rruga kryesore Prishtinë – Fushë Kosovë ka qenë e bllokuar për disa orë.
Top Channel