Pas Fondit Monetar Ndërkombëtar edhe Banka Botërore ka ulur ndjeshëm vlerësimin për rritjen ekonomike të vendit këtë vit, ndikuar nga situata e krijuar nga Covid-19.

Sipas Rishikimit Ekonomik të Vjeshtës për Evropën dhe Azinë Qendrore ekonomia shqiptare do të pësojë një tkurrje të fortë prej -8.4%, nga -5% që ishte parashikimi fillestar i Bankës Botërore.

Sipas kësaj të fundit, konsumit pritet të ulet ndjeshëm me 8%, teksa tkurrje parashikon edhe për eksportet e mallrave e shërbimeve në 37%.
Klima e biznesit dhe borxhi i lartë publik evidentohen si dy nga faktorët kryesore sipas Bakës Botërore që po pengojnë investimet e huaja në vend.
Ndërkaq, sipas raportit turizmi dhe industria prodhuese po vuajnë më shumë pasojat e recesionit të Bashkimit Evropian, që është njëherazi edhe partneri kryesor tregtar, i investimeve të huaja si dhe dërgesave të emigrantëve.

Kufizimi i lëvizjeve dhe masat e distancimit social vlerëson raporti po ndikojnë në ecurinë e këtyre dy sektorëve kyçë të ekonomisë.
Banka Botërore vlerëson se ekonomia shqiptare mund të rimëkëmbet me 5% vitin e ardhshëm në rast se situata me pandeminë mbahet nën kontroll, teksa evidenton si një nxitje për rritjen ekonomike edhe procesin e rindërtimit.

Kontribut në ringritjen e ekonomisë në 2021 pritet të japë gjithashtu edhe sektori i shërbimeve, i udhëhequr nga turizmi si dhe ai i ndërtimit evidenton ndër të tjera Banka Botërore.

Top Channel