KLSH: Dëmi 36 milionë euro/ Shkeljet e gjetura në 6 muaj, në tatime, dogana dhe me tenderat

02/10/2020 20:08

“36 milionë euro është dëmi ekonomik i financave të shtetit gjatë pjesës së parë të vitit. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, tatime, doganat dhe investimet janë fushat ku janë konstatuar edhe shkeljet më të mëdha.”

Ky dëm i zbuluar nga KLSH për 34 subjekte të audituara edhe gjatë kësaj periudhe është si kahun e shpenzimeve ashtu edhe në atë të të ardhurave të munguara në këto institucione.

Sa i takon pjesës së të ardhurave, KLSH ka zbuluar se në 6-mujorin e parë të vitit parregullsitë dhe shkeljet më të rënda janë kryer  në sektorin e tatim taksave të cilat arrijnë vlerën e mbi 1miliardë lekëve. Ndërsa në fushën e Doganave dëmi ekonomik përllogaritet në rreth 453 milionë lekë për periudhën Janar-Qershor.

Nga ana tjetër, në drejtim të shpenzimeve humbjet më të mëdha me efekt të konsiderueshëm për buxhetin e shtetit janë konstatuar në procedurat e prokurimit publik me një dëm prej 336 milionë lekë, ku pjesa më e madhe e tij ka ardhur si pasojë e parregullsive gjatë procedurave dhe tenderimit si dhe zbatimit të kontratave.

Pas tyre, renditen shpenzimet për paga, shpërblime si dhe sigurime.

Për gjashtëmujorin e parë të vitit, nga auditimet e realizuara Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka përcjellë Prokurorisë në total 8 kallëzime dhe indicie penale për 10 persona të konstatuar me shkelje të rënda.

Top Channel