Sipas një studimi zyrtar, kufizimet e ashpra për shkak të koronavirusit të ri (COVID-19) në Korenë e Jugut kanë ndikuar në shëndetin mendor të qytetarëve të saj.
Sipas agjencisë së lajmeve Yonhap, 4 në 10 banorë në kryeqytetin Seul besojnë se shëndeti i tyre mendor është përkeqësuar për shkak të shpërthimit të koronavirusit në vend.
Nga 3.983 të anketuar në një anketë online të zbatuar nga qeveria metropolitane e Seulit midis muajve korrik dhe gusht, 40 për qind ose 1.489 të anketuar thanë se shëndeti i tyre mendor është përkeqësuar që nga shpërthimi i pandemisë COVID-19.
Pjesa tjetër e mbetur thanë se kanë patur një ndryshim të vogël në shëndetin e tyre mendor.
Arsyet e përmendura për këto efekte negative janë pasojat ekonomike, mungesa e jetës së lirë për shkak të distancës fizike, reduktimi i aktiviteteve në natyrë, parahati me mbajtjen e maskës dhe shkëputja midis familjes dhe miqve.
Rreth 51 për qind e të anketuarve thanë se udhëzimet e distancës fizike janë të domosdoshme dhe shkaktojnë parahati.
Por 41 për qind thanë se pavarësisht se masat shëndetësore janë të nevojshme, ato janë shqetësuese.
Mbi 24 për qind besojnë se humbjet ekonomike kanë ndikuar në jetën e tyre.
Muajin e kaluar, autoritetet vendosën Seulin dhe zonat përreth tij në një bllokim të rreptë, duke ndaluar mbledhjen e 10 ose më shumë personave pas numrit të lartë të infeksioneve të reja të regjistruara në Seul.
Sipas Agjencisë Koreane të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve, vendi i Azisë Juglindore raportoi 113 raste të reja në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve të konfirmuara me koronavirus në 23.812.
Me gjashtë viktima të tjera, numri i të vdekurve nga koronavirusi u rrit në 413 ndërsa deri më tani janë shëruar 21.590 pacientë.
Top Channel