Vargjet e mëposhtme janë shndërruar këto ditë në “himnin” e grave të dhunuara:
“Vrajëm,
po vrajëm nëse nuk t’kom pshty n’ftyrë
e s’t’i kom numru t’kqijat
tu t’sha e tu t’mallku!
Vrajëm,
nëse sa here ke dasht me m’malltretu
unë t’kom duru.
Vrajëm nëse t’kom msu
me m’fol qysh ke dashtë,
vrajëm,
Qo dorë n’mu
veç pse jom gru.
Po,
qitmi flokt n’tokë
e lem sheja n’trup e n’ftyrë
nëse s’t’kom thanë që
je farë e ndyrë,
nëse s’t’kom nal me t’thanë
kqyru n’pasqyre,
nëse gjen me kqyr naj ftyrë!”
E interpretuar prej moderatores nga Shkupi, Rita Behadini dhe shkruar nga shkrimtarja e re nga Prishtina, Kaltrina Pacolli, vargjet e kësaj vjershe të titulluar “Unë, kufoma e ardhshme”, kanë marrë jehonë në mbarë trevat shqiptare. Vajzat ishin të ftuara në studion e emisionit “Ftesë në 5”. Rita u shpreh se me Kaltrinën nuk njihet dhe takimi i parë mes tyre ka ndodhur në studio. Por si frymëzimin për të recituar këto vargje, ajo e ka marrë nga një vrasje makabër të ndodhur në Gostivar, ku burri vrau gruan e tij me sëpatë. Ndërsa Kaltrina tha se subjekt për të shërbeu një histori po me të njëjtën përmbajte.
“Një burrë vrau gruan, ndërsa më pas u tha se ajo vdiq teksa pastronte armën”, u shpreh Kaltrina.
“Ti rritesh me idenë për tu’ futur në një profesion të caktuar. Vajzat duan të bëhen mësuese dhe kanë harruar për t’u bërë edhe gjëra të tjera. Unë kisha shumë emocione teksa interpretoja këtë poezi, sepse për mua do të thotë shumë. Shumë femra dhunohen, vriten. Unë jam aktiviste për mbrojtjen e femrave dhe nuk e di se kur do të mbarojë kjo gjë. Unë poezinë e kam recituar, pas një historie të trishtë, ku një burrë në Gostivar vrau gruan me sëpatë”, u shpreh Rita.
Ndërsa Kaltrina tha:
“Unë kam gjetur armën e poezisë për të ngritur zërin e çdo gruaje. Unë i thashë edhe Ritës, në momentin që pashë Ritën po prisja që të më ftonte në emisionin e saj, shumë miq filluan të më bënin urime dhe unë e dija që interpretimi i Ritës do të bëjë bujë. Dhuna në familje nuk është e re, ka ndodhur mijëra e mijëra vjet. Mua më preku shumë rasti i Gjakovës, ku u vra një grua dhe më pas doli se ajo ka vrarë veten duke pastruar armën. Shokët tanë kanë me shkruar që gruaja e meriton këtë dhimbje dhe e meriton me u vra. Kjo më ka bërë që unë të shkruaj këto vargje”, tha Kaltrina.
Top Channel