Pandemia, kreditë nuk po rikthehen/ Raporti i bankës: Të dëmtuar bizneset dhe familjarët

29/09/2020 15:09

“Jo vetëm individët por edhe bizneset kanë pësuar një goditje të fortë për shkak të pandemisë Covid-19, pasi aftësia paguese e huasë është përkeqësuar ndjeshëm në gjashtëmujorin e këtij viti”.

Sipas raportit të fundit të Bankës së Shqipërisë për familjet huamarrëse ky tregues ka shënuar një rënie me rreth 37.5% gjatë periudhës Janar-Qershor, niveli më i lartë i shënuar që prej vitit 2011.

Por, situata paraqitet pesimiste edhe për pjesën e mbetur të vitit, pasi nga vrojtimi rezulton se pjesa më e madhe e të anketuara deklarojnë se mund të hasin vështirësi në shlyerjen e huasë, çka reflekton edhe përkeqësimin e ekonomisë në vend.

Ndërkaq, situata e krijuar nga pandemia ka ndikuar dukshëm edhe në vendimmarrjen lidhur investimet apo zgjerimin e aktivitetit të ndërmarrjeve. Kundrejt 6 mujorit paraardhës, pesha e atyre që kanë marrë hua për këto qëllime ka pësuar rënie të ndjeshme.

Gjendja e financiare e bizneseve në vend rezulton e prekur rëndë si në drejtim të shitjeve ashtu dhe fitimeve, si pasojë e mbylljes së ekonomisë si dhe rënie së konsumit në vend.

Sipas të dhënave, rreth 72% e bizneseve të vogla raportuan për një tkurrje të fortë të nivelit të shitjeve, ndërsa për ato të mesme dhe të mëdha shitjet ranë përkatësisht me 76.6% dhe 64.5%.

Megjithatë, pritshmëritë për 6 mujorin e dytë shfaqen më optimiste në drejtim të rritjes së financimit dhe investimeve, si dhe planifikimit për huamarrje pasi bazuar në përgjigjet e ndërmarrjeve duket sikur kërkesa për kredi do të japë sinjale gjallërimi.

Genta Dobra

Top Channel