Në Francë kanë filluar hetime ndaj gazetave që publikuan përmbajtjen e bisedës telefonike mes presidentit të Rusisë, Vladimir Putin dhe presidentit francez, Emmanuel Macron.
Një gazetar në pjesën “pyetje-përgjigje” që ndodhet në faqen e Ministrisë së Jashtme franceze ka pyetur ministrinë lidhur me publikimin nga gazetat franceze të detajeve për bisedën mes presidentëve Putin dhe Macron lidhur me pretendimet e helmimit të opozitarit rus, Alexei Navalny.
Në përgjigjen me shkrim nga ministria thuhet se “është e papranueshme rrjedhja e dokumenteve sekrete që u përkasin çështjeve të brendshme. Për këtë arsye distancohemi për të dhënë komente. Hetimi lidhur me çështjen vazhdon. Presidenti ynë (Macron) synon dhe do të vazhdojë që të zgjidhë me dialog dhe çiltërsi të gjitha çështjet lidhur me Rusinë dhe kryesisht për çështjet që ndikojnë ndaj sigurisë tonë”.
Ndërkohë shtypi rus ka shkruar se hetimi ka filluar për gazetën “Le Monde”.
Putin dhe Macron zhvilluan një bisedë telefonike më 14 shtator. Gazeta “Le Monde” në artikullin e saj lidhur me bisedën kishte pretenduar se Putin ka vënë theksin se duhet përqendrim mbi skenarin se Letonia ku jetojnë ata që kanë zhvilluar substancën “Noviçok” është e përfshirë në çështjen e Navalny-t.
Pretendimi për helmimin e Navalny-t
Gjendja shëndetësore e Navalny-t u përkeqësua më 20 gusht gjatë një fluturimi nga qyteti siberian Tomsk për në Moskë. Avioni më pas bëri ulje emergjente në Omsk. Pasi Navalny u dërgua me urgjencë në një spital, u pretendua se ai ishte helmuar me një substancë të përzier në çajin e tij.
Rikujtohet se 44-vjeçari Navalny u transferua më 22 gusht nga Omsk në spitalin privat Charite në Berlin të Gjermanisë. Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert më 2 shtator njoftoi se përfundimisht kanë përcaktuar se Navalny është helmuar me një kimikat nga grupi i Noviçok që përdoret në luftën kundër sëmundjeve nervore.
Seibert, edhe më 14 shtator tha se helmimi i Navalny-t është konfirmuar edhe nga dy laboratorë të pavarur në Suedi dhe në Francë.
Spitali Charite më 7 shtator informoi se situata shëndetësore e Navalny-t është përmirësuar dhe se ka dalë nga koma. Ekipi i Navalny-t pretendon se kimikati i grupit të Noviçok është gjetur në një shishe në dhomën e hotelit ku Nanalny ka qëndruar më parë në qytetin Tomsk.
Më 23 shtator u njoftua se Alexei Navalny ka dalë nga spitali Charite në Berlin ku mori trajtimin mjekësor.
Top Channel