Kur do nisë kampionati i futbollit/ Federata dhe liga superiore japin qëndrimin e tyre

26/09/2020 16:30

Shqipëria vazhdon të mos ketë futboll për shkak të bojkotit të Ligës Profesioniste të Futbollit, teksa prej më shumë se 1 muaji i ka bërë disa kërkesa qeverisë shqiptare, për të cilat u diskutua edhe në një konferencë për shtyp të zhvilluar në Air Albania Stadium, ku i pranishëm ishte edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

Ky i fundit ashtu sikurse edhe presidenti i ligës i dhanë më shumë rëndësi ligjit të sponsorizimit në sport si një mundësi për gjenerim të ardhurash, ndërkohë që shtoi se kjo pikë kritike nuk u arrit tani.

“Kjo nuk është pika kritike që erdhi sot, është vazhdë e historisë dhe veprimeve të të gjithë qeverive. Në logo thuhet që qeveritë e kanë braktisur sportin apo futbollin. Do të vijë një ditë, që të merren vendime ekstreme. Qeveria duhet të marrë përgjegjësitë e vetë. Mundohet të hedhin baltë mbi sportin. Janë disa gjëra të vërteta po ka edhe shumë sukses. Ne kërkojmë ndryshime ligjore për të përmirësuar sportin. Vetëm Kategoria Superiore sot pagua afërsisht 500 milionë lekë tatime. Nuk është se e tëra është informale, por ne kërkojmë idealen”, shprehet Armand Duka, President i FSHF-së.

Në këtë konferencë u shpjeguan edhe kërkesat e tjera të bëra në drejtim të qeverisë, ndërkohë që nuk u përjashtua mundësia që bojkoti në futbollin shqiptar të vijojë.

“Ndodhi pandemia dhe futbolli u mbyll. Kemi humbur 4 vjet me kërkesat e kuadrit ligjor. Edhe nëse zgjat 4-5 javë nuk është fundi i botës, po luftojmë për një kauzë dhe një qëllim të madh. Nuk mund të parashikoj hapat e mëtejshme. Presidentët e Ligës do të marrin vendimin e duhur, i cili mendoj se do të respektohet”, u shpreh Edvin Libohova, President i Liges së Futbollit.

Sigurisht që për situatën aktuale është infomuar edhe UEFA e cila është e interesuar në zgjidhjen e shpejtë të këtij ngërçi.

“UEFA- Vendimin Liga e ka marrë më 5 gusht. E kemi informuar UEFA-n, në çdo hap që ne marrim. Kemi marrë dhe ekspertizën e tyre. Janë plotësisht të informuar. Janë në dijeni të situatës. Kemi pasur një diskutim me presidentin në Budapest pas finales. Janë të interesuar që çështja të zgjidhet sa më shpejt”, shtoi Duka.

Top Channel