TIRANË- Detaje të reja kanë dalë në dritë nga atentati me tritol ndaj Preng Gjinit më 15 shtator të këtij viti.
Prokuroria e Tiranës dhe grupi i hetimit të Krimeve të Rënda kanë identifikuar një person që shfaqet në kamerat e sigurisë në zonën ku ndodhi shpërthimi. Ai largohet me vrap, ndërsa ka të hedhur në krahë një çantë të kuqe, i veshur me xhinse edhe me kapele në kokë si dhe një bluzë të zezë.
Ky person shfaqet gjatë kohës që Preng Gjini po pi kafe duke vëzhguar në distancë, ndërsa bën lëvizje të dyshimta. Kamarierë të një lokali afër perimetrit ku ndodhi shpërthimi i thanë grupit të hetimit se ky person u kishte folur në gjuhën italiane. Por prokurorët dyshojnë që në të vërtetë ai është shtetas shqiptar.
Burimet i thanë gazetares Anila Hoxha, se deri më tani janë kontrolluar 27 kamera subjektesh, për të parë lëvizjet e këtij personi rreth moshës 30-vjeç.
Së fundmi Kryeprokurorja e Tiranës ka thirru në një takim drejtuesit hetimor në Policinë e Shtetit lidhur me ngjarjet e fundit kriminale në vendin tonë. Elisabeta Imeraj së bashku me drejtuesin e Policisë së Shtetit, Rebani Jaupi si dhe një sërë drejtuesish të Hetimit të Krimit po diskutojnë dhe analizojnë punën për ngjarjet e fundit kriminale. Mbledhja është thirrur nga Kryeprokurorja dhe është mbajtur me dyer të mbyllura.
Top Channel