Myrto Uzuni bëhet sërish protagonist në Champions League këtë herë në fazën play-off. Uzuni shënoi një gol shumë të bukur me kokë në duelin e vajtjes ndaj norvegjezëve të Moldes në sfidën që u zhvillua në Norvegji dhe që përfundoi në barazim 3-3 me Ferencvarosin që mori një rezultat të shkëlqyer dhe tashmë ka shanse të mëdha për të kapur fazën e grupeve.

Në minutën e 52-të, sulmuesi shqiptar kërceu bukur me kokë duke mposhtur portierin e Moldes dhe duke e çuar rezultatin në 0-2 në favor të Ferencvarosit, por vendasit arritën të përmbysnin gjithçka në favor të tyre ndërsa pak minuta para fundit një penallti e dyshimtë i dha mundësinë skuadrës hungareze për të barazuar rezultatin dhe për të hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit.

Në dy ndeshjet e tjera të mbrëmjes Olympiacos mposhti në Athinë 2-0 qipriotët e Omonias, ndërkohë që Dinamo e Kievit pothuajse siguroi grupet falë suksesit 1-2 në transfertë ndaj belgëve të Gent.

Top Channel