Bundesliga gjermane e futbollit ngriti siparin me një festival golash, një spektakël në Alianz Arena që rikonfirmoi se Bajern do të ketë armik vetëm veten në këtë sezon, për të mbrojtur titullin. 90 minutëshi në Bavari ishte një provë force e skuadrës së Hansi Flik e cila shënoi plot 8  gola në portën e Shalkes pa pësuar asnjë, duke e kthyer mbrëmjen e miqve nga Gelsenkirshen në një debutim për ta fshirë nga kujtesa sa më shpejt.

Vallja e golave u hap nga Gnabri që në minutën e 4 por para se skuadrat të shkonin në pushim, shtuan emrin në listën e shënuesve dhe Leon Goretzka, ndëshkimi klasik i një ish-futbollisti, dhe i zakonshmi Robert Levandovski me penallti.

Në fraksionin e dytë Bajern asfaltoi totalisht Shalken me dy gola të tjerë nga talenti Gnabri, e më pas me veteranin Myler, blerjen e re Leroi Sane dhe Musiala, në ndeshjen që për publikun shqiptar erdhi përmes platformës Digitalb.

Në Bavari nuk kishte tifozë por këtë të shtunë në fusha të tjera si ajo e Dortmundit kur vendasit të presin Mynshengladbah,  do të ketë një numër të reduktuar mbështetësish, me distancë dhe nën rregullat e protokollit shëndetësor.

Top Channel