Policia e Elbasanit njoftoi më herët se ka kapur 34-vjeçarin Erion Alibej që është organizatori dhe porositësi i dy vrasjeve të ndodhura gjatë muajit korrik 2020, në qytetin e Elbasanit, atë të Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt.
Por Erion Alibej nuk është një emër i panjohur për drejtësinë, po ashtu edhe vëllai i tij, Endrit Alibej.
Të dy vëllezërit janë arrestuar më 4 qershor 2013 nga autoritetet italiane në kuadër të operacionit të koduar “Cocash”.
Në raportin e policisë së Astit thuhej se operacioni “COCASH” i ekzekutuar më 4 qershor 2013 shkatërroi dy grupe trafikantësh droge të drejtuar nga shqiptarë me pjesëmarrjen e shtetasve italianë. Dy grupet e shkatërruar nga ky operacion ishin;
Grupi i përbërë nga 3 shqiptarë; Vexhi Shahinaj, Sajmir Guradeci, aktualisht (më 2013) i burgosur në Francë e Urim Shahinaj, i identifikuar ne Shqipëri.
Grupi i dytë i trafikantëve përbëhej nga dy vëllezërit shqiptarë Erion e Endrit Alibej nga Elbasani, pa leje qëndrimi të rregullt në Itali por që banonin në provincën e Astit.
Ata administronin një trafik të konsiderueshëm droge të tipit kokainë në territorin e provincës së Astit.
Gjatë arrestimit vëllezërve Alibej u janë gjetur në dy banesat e tyre në Asti rreth 15 kg kokainë e fshehur, ndërsa në total gjatë operacionit me 15 të arrestuar u dokumentua si pjesë e trafikut 31 kg lëndë narkotike me vlerë mbi 10 milionë euro.
Në aktivitetin e tyre kriminal grupi i vëllezërve Alibej përdornin pseudonime si Tarzani, Tino, Ciçio, Bimbo, ndërsa në gjuhën e kriptuar kokaina identifikohej me fjalën “foto”.
Ndërkohë që në vitin 2019 vëllai i tij, Endriti u ekzekutua në një atentat në Bradashesh, bashkë me Arben Dylgjeri 56 vjeç, si dhe një shtetas turk Erdal Duranay.
Top Channel