Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen paraqiti në një fjalim të zgjeruar të mërkurën vizionin e saj për një Bashkim të ri Evropian pa krizën e koronavirusit. Ajo foli gjithashtu edhe mbi negociatat në vazhdim mbi Brexit-in dhe konfliktet mbi të drejtat e njeriut.
Duke folur para anëtarëve të Parlamentit Evropian në Bruksel, në fjalimin e saj mbi gjendjen e BE-së, zonja von der Leyen tha se blloku duhet t’u japë një përgjigje më të mirë ngjarjeve që ndodhin në të gjithë botën. BE-ja, e cila dikur kishte aftësinë që t’i tërhiqte dhe jo t’i detyronte vendet që të anëtarësohen, çka ndihmoi në transformimin e fqinjëve komunistë në vende me një ekonomi tregu, gjithnjë e më shumë po e gjen veten të paaftë të pajtohet për çështje të ndryshme, për shkak të nevojës për të siguruar unanimitet mes vendeve anëtare.
“Pse edhe deklaratat më të thjeshta mbi vlerat e BE-së vonohen, zbuten apo mbahen peng për të tjera motive?! Unë mendoj se duhet të jemi kurajozë dhe të kalojmë me shumicë të kualifikuar, duke votuar të paktën për të drejtat e njeriut dhe zbatimin e sanksioneve”, tha zonja von der Leyen.
Në lidhje me negociatat në vazhdim për daljen e Britanisë nga BE-ja (Brexit), zonja Von der Leyen hodhi poshtë një ligj të ri mbi tregun e brendshëm të paraqitur nga Kryeministri britanik Boris Johnson i cili mund të shkelë pjesë të marrëveshjes së tërheqjes, të nënshkruar në janar. Lidhur me marrëveshjen ajo tha se “nuk mund të ndryshohet në mënyrë të njëanshme, të mos përfillet ose të mos zbatohet. Kjo është një çështje që ka të bëjë me ligjin dhe besimin”.
Presidentja e Komisionit Evropian tha se po përfundon koha për një marrëveshje tregtare mbi Brexit-in, afati përfundimtar i së cilës është fundi i vitit. Agjencia e lajmeve “Reuters” njoftoi të martën se Britania kishte bërë lëshime në heshtje për disa nga çështjet e tjera që bllokonin marrëveshjen, kjo ka bërë që disa zyrtarë të shpresojnë mbi mundësinë e e arritjes së saj.
Presidentja e Komisionit Evropian dënoi gjithashtu politikat e fundit në Poloni të mbështetura nga qeveria nacionaliste atje, për të kufizuar të drejtat e lezbikeve, homoseksualëve, biseksualëve dhe transgjinorëve. Ajo tha se në bllok nuk ka vend për politika të tilla.
“Unë nuk do të rresht kur bëhet fjala për ndërtimin e një bashkimi mbështetur tek barazia, një bashkimi ku mund të jesh ai që je dhe të duash atë çka dëshiron, pa frikë dhe pa u kritikuar, sepse të jesh vetvetja nuk është një ideologji është identiteti juaj dhe askush nuk mund tua heqë. Dua të jem e qartë, zonat pa LGBTQI, janë zona ku mungon humanizmi dhe ato nuk kanë vend në bllokun tonë”, tha zonja zonja Von der Leyen.
Lidhur me ndryshimet klimatike, zonja Von der Leyen njoftoi një plan të ri të Komisionit për të ulur emetimin e gazeve që shkaktojnë efektin serë me të paktën 55 për qind nga nivelet e vitit 1990, deri në vitin 2030 ndryshe nga një objektiv ekzistues prej 40 për qindësh./VOA
Top Channel