Ministri i Mbrojtjes së Turqisë, Hulusi Akar ka deklaruar se “18 ishuj janë armatosur nga Greqia në kundërshtim me marrëveshjet”, raporton Anadolu Agency (AA).
“18 ishuj janë armatosur nga Greqia në kundërshtim me marrëveshjet. Kjo përshkallëzon tensionet, eliminon dialogun e ndërsjellë”, tha Akar nga rajoni Kaş i Antalyas duke iu përgjigjur pyetjeve në një intervistë të drejtpërdrejt nga zëvendësdrejtori i përgjithshëm dhe kryeredaktori i përgjithshëm AA-së, Metin Mutanoğlu.
Pasi vuri theksin se Greqia duhet të lërë patjetër mënjanë sjelljet provokative, përshkallëzuese dhe rritjen e tensioneve, Akar deklaroi se “Turqia ëshë gjithmonë pro dialogut dhe dëshiron që problemet këtu të arrijnë zgjidhje politike me mënyra paqësore”.
“Sipas qasjes sonë, provokimi, nxitja, tensionet, nuk kanë dobi për askënd veçanërisht për Greqinë”, shtoi më tej ministri Akar.
Duke kritikuar qëndrimet e presidentit, Emmanuel Macron, ministri Akar tha se “Populli grek s’duhet të rrëmbehet nga përpjekjet e Macronit, s’duhet të bëhet meze për operacionet e Macronit për vetëshpëtimin e tij. Duket shumë qartë se politika e Macronit ka falimentuar. Për të mbuluar këtë ai po përpiqet që të kapë disa role në mënyrën e tij”.
Në lidhje me aktivitetet e anijes për kërkime siszmike Oruç Reis, ministri Akar tha se “Në kuadër të planit do të ketë veprime para-prapa. Por, nuk bëhet fjalë që ne të tërhiqemi nga të drejtat tona”.
Ndërsa për zhvillimet në Libi, Akar vuri theksin se po ndjekin me shqetësim që të njëjtat gabime që janë bërë prej vitit 2011 në Siri, po bëhen edhe në Libi.
“Ne po ndihmojmë vëllezërit tanë libianë që të formojnë ushtri të rregullt që është e nevojshme për unitetin, integritetin dhe sigurinë e tyre. Shumë vende dhe institucione, fatkeqësisht qëndrojnë të heshtura përballë padrejtësisë këtu dhe ndaj sulmeve nga grupi i Haftarit”, tha Akar.
Top Channel