Alessandro Florenzi ka kaluar me sukses testet mjekësore dhe ka firmosur zyrtarisht me Paris Saint Germain. Kanë qenë vetë këta të fundit që kanë bërë edhe prezantimin zyrtar të futbollistit italian në rrjetet sociale zyrtare të klubit kampion të Francës.

Transferimi i Florenzit nga Roma te PSG-ja është bërë me formulën e huazimit, ndërsa francezët kanë ruajtur edhe të drejtën e blerjes përfundimtare të kartonit të mbrojtësit 29-vjeçar, për shifrën e 9 milionë eurove.

Alessandro Florenzi ka zgjedhur të mbajë mbi shpinë fanellën me numrin 24, ndërsa që prej ditës së nesërme do të jetë në dispozicion të trajnerit gjerman Thomas Tuchel, për t’u stërvitur.

Mbrojtësi është rritur në klubin e Romës, me të cilin edhe debutoi në Serinë A, ndërsa me fanellën verdhekuqe numëron 280 ndeshje në total, gjatë të cilave ka shënuar edhe 28 gola. Ai doli jashtë planeve të trajnerit Paulo Fonseca dhe gjysmën e dytë të sezonit të kaluar e kaloi në huazim te spanjollët e Valencias.

Top Channel