Gattuso e lë jashtë skuadrës, edhe Tottenham futet në garë për sulmuesin e Napolit

12/09/2020 00:38

Arkadiuz Milik ka prishur çdo urë kontakti me Napolin dhe së fundi është lënë edhe jashtë grupit nga trajneri Gattuso, ndërsa tani pritet vetëm që të vijë një ofertë e mirë në drejtim të tij, për t’u larguar përfundimisht nga të kaltrit.

Sulmuesit polak i skadon kontrata verën e ardhshme dhe ka refuzuar ofertat për rinovim, ndërsa nga ana tjetër De Laurentiis ia ka bërë të qartë se ose duhet të sjellë 40 milionë euro në arkat e klubit, ose do të rrijë gjithë sezonin në tribunë.

Prej disa javës agjentët e Milik ishin në negociata si me Juventusin ashtu edhe Romën, por të dyja pistat “janë ftohur” tashmë, pasi bardhezinjtë kanë hedhur sytë nga tregu spanjoll, ndërsa verdhekuqtë nuk mund të bëjnë asnjë lëvizje nëse nuk largohet më parë kapiteni Dzeko.

Megjithatë së fundi në gjurmën e polakut kanë rënë londinezët e Tottenham Hotspur, pasi trajneri i tyre Jose Mourinho e ka bërë të qartë se dëshiron afrimin e një sulmuesi për sezonin e ri, sepse nuk mund të mbështetet vetëm te kapiteni Harry Kane.

“Ua kam thënë drejtuesve dhe po e them edhe publikisht, që kemi nevojë edhe për një tjetër sulmues për sezonin e ri. Kemi vetëm Harry Kane si sulmues të mirëfilltë dhe qoftë edhe për numra, duhet të jemi të kompletuar”, u shpreh portugezi.

Mediat në Angli ndërkohë raportojnë se Mourinho ka dhënë miratimin e tij për afrimin e polakut, por klubi londinez shpreson që të mund të marrë Milik për jo më shumë se 25-30 milionë euro, shifër kjo e konsideruar shumë e ulët nga De Laurentiis.

Top Channel