Me pjesën dërrmuese të formacionit titullar në karantinë, për shkak të infektimit nga koronavirusi, Paris Saint Germain e nisi sezonin e ri të kampionatit me humbjen minimale 1-0 në transfertën ndaj Lens, në një stadium të hapur pjesërisht për publikun.

Kampionët në fuqi të Francës nuk kanë luajtur dy javët e para, për shkak të angazhimit në Ligën e Kampionëve dhe sfidën hapëse ndaj Lens e rikuperuan pikërisht mbrëmjen e sotme, ndërsa takimin e javës së dytë ndaj Metz, do ta rikuperojnë më 16 shtator. Pushimet në Ibiza u kushtuan shtrenjtë parizienëve, pasi plot 7 titullarë si Mbappe, Neymar, Icardi, Navas, Marquinhos, Paredes e Di Maria u prekën nga koronavirusi dhe nuk u vunë në dispozicion të trajnerit Tuchel mbrëmjen e sotme.

Ky i fundit u detyrua të thërrasë disa futbollistë nga ekipi i të rinjve për të kompletuar skuadrën, ndërsa në fushë kishte vetëm 4 titullarë nga sezoni i kaluar, konkretisht mbrojtësit Kimpembe, Kehrer e Bernat dhe mesfushorin italian Marco Verratti. Megjithatë këta ishin shumë pak për të përballuar entuziazmin e vendasve, të cilët u mbrojtën mirë gjatë gjithë lojës dhe arritën të kërcënojnë disa herë me anë të kundërsulmeve të shpejta.

Goli i fitores për lens u shënua nga sulmuesi Ganago në minutën e 57’ të ndeshjes, i cili mori një ‘dhuratë” nga portieri i Paris Saint Germain, Bulka dhe u fut në zonë e gjuajti saktë, duke dërguar sferën në rrjetë. Në minutat e mbetura kryeqytetasit u përpoqën të reagojnë, por pa ia dalë të kërcënojnë rrezikshëm kuadratin e Lensit dhe vërshëllima finale la në fuqi rezultatin minimal 1-0.

Top Channel