Java e tretë e kampionatit francez startoi me përballjen mes Bordeaux dhe Lyon, takim ky që u mbyll në barazim pa gola, ndonëse në fushë u zhvillua një 90-minutësh shumë i luftuar dhe me raste për të dy skuadrat.

Veçanërisht Lyoni ishte shumë më i impenjuar për të marrë maksimumin në këtë sfidë dhe krijoi disa mundësi shënimi, por futbollistët e drejtuar nga Rudy Garcia nuk u treguan të saktë në finalizim.

Më pranë golit i shkoi mesfushori i talentuar i Lyonit, Auar, i cili u aktivizua në pjesën e dytë dhe pak minuta para fundit të ndeshjes lëvizi bukur në zonë e gjuajti, por topi u përplas në shtyllë dhe më pas u largua nga mbrojtja vendase.

Nga ana tjetër Bordeaux u mjaftua me një mbrojtje të kujdesshme dhe me disa zbritje të shpejta në kundërsulm, ndërsa me këtë barazim u ngjit në vendin e dytë me 5 pikë në tre ndeshje, gjatë të cilave ia ka dalë të ruajë të paprekur portën. Ndërkohë Lyon ka grumbulluar 4 pikë në dy ndeshje, pasi ka për të rikuperuar edhe takimin e javës së parë.

Top Channel