Njerëzit në San Francisko dhe pjesë të tjera të Kalifornisë e gjetën veten në zgjim para një qielli portokalli, që të sillte në mendje vizione apokaliptike apo marsiane, në një vit të mbushur plot me ngjarje trazuese.
Qiejt ishin shpesh aq të errësuar sa që dukej më shumë natë sesa ditë, ndërkohë që në disa vende, hiri binte si dëborë, për shkak të zjarreve masive që mbushnin ajrin me tym.
“Qiejt portokalli të këtij mëngjesi janë rezultat i zjarreve dhe tymit që lëshojnë ata në ajër”, thanë zyrtarët e San Franciskos. “Tymi i dendur bën që pjesëzat të eleminojnë dritën blu dhe lejojnë vetëm dritën e verdhë, portokalli dhe të kuqe të arrijë në sipërfaqe duke i bërë qiejt të duken si ata të marsit”.
Ndërsa tymi është bërë më i dendur në disa zona, ai ka bllokuar rrezet e diellit duke errësuar gjithçka. Foto nga skenat e rralla, veçanërisht nga San Francisko, të ngjashme me ato të filmave fantastiko-shkencor, u përhapën shpejt në median sociale. Qiejt e errët që bllokuan diellin, bënë që edhe temperaturat të zbrisnin në atë që historikisht ka qenë periudha më e nxehtë e vitit në San Francisko.
Zjarret e paprecedenta, të ndihmuara nga erërat e forta dhe temperaturat e larta, kanë bërë që mijëra hektarë tokë në Kaliforni, Oregon dhe Uashington të shkrumbohen dhe me dhjetëra e mijëra banorë të braktisin shtëpitë e tyre. vetëm në Kaliforni janë raportuar të paktën tetë viktima.
Top Channel