Në pritje të Vedat Muriqit. “Bomberi” kosovar do të jetë nënshkrimi i radhës i Lazios. Ai nuk ka mundur të japë kontribut për përfaqësuesen dardane për arsye dëmtimi, ndërsa ditët e fundit mori pjesë në dasmën e motrës së tij, Narcin, në Kosovë. Pas kthimit në Turqi, sot drekoi me menaxherin e tij Haluk Canatar.

Ndoshta janë diskutuar detajet e fundit të trasferimit të tij te klubi bardhekaltër. Marrëveshja midis Lazio dhe Fenerbahce është arritur: 18 milionë euro, plus dy bonuse, përveç 10% të vlerës në rast rishitjeje në të ardhmen.

Muriqi pritet nga çasti në çast të zbarkojë në kryeqytetin italian, ku do të duhet t’u nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore dhe dhe testit të COVID-19. Pastaj ai mund të nënshkruajë me klubin.

Simone Inzaghi po e pret. Për shkak të një problemi muskulor, ai nuk do të jetë menjëherë në dispozicion të stafit teknik. Në Formello do të ketë mjaft kohë për t’u rikuperuar në funksion të fillimit të sezonit të ri.

Top Channel