Urgjenca e Spitalit Rajonal të Durrësit kthehet në normalitet pas zjarrit të rënë sot pak pas mesdite.
Në urgjencë ka rinisur puna dhe pacientët janë kthyer në dhomat e shtretërit e tyre. Gjithashtu dhe stafi po vijon punën pranë të sëmurëve.
Më herët reagoi edhe policia në lidhje me lajmin se urgjenca e spitalit të Durrësit është përfshirë nga flakët, duke bërë me dije se ka pasur vetëm një shkëndijë e cila është shuar dhe nuk ka asnjë problem.
Paraprakisht bëhet e ditur se ka qenë një shkëndijë elektrike në panelin kryesor të shpërndarjes së energjisë te reparti i radiologjisë që ka shkaktuar zjarrin.
Nën alarm, personeli mjekësor dhe stafi kanë ndihmuar në evakuimin e pacientëve që ndodheshin në dhomat e urgjencës spitalore dhe me ndërhyrjen e zjarrfikësve dhe policisë situata është nën kontroll.
Një nga mjeket e spitalit tha për mediat se: “E para vështirësi nuk kishte fare për evakuimin e pacientëve. Pati një shkëndijë në panel që duhet vlerësuar se çfarë ishte, por stafi s’pati dëme as pacientët as ambienti përreth. Jemi gati të vijojmë punën”.
Top Channel