Edhe pse kanë kaluar dy dekada nga fundi i luftës në Kosovës, interesimi i njerëzve për të vizituar Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz mbetet në rritje.

Vizitorë vendas dhe të huaj, duan të shohin nga afër dëshmitë e gjalla të luftës që u finalizua me lirinë e Kosovës, por Kullat e Jasharajve po rrezikojnë të rrënohen për shkak të mungesës së kujdesit nga shteti. Bekim Jashari, pjesëtar i familjes historike, thotë se kullat janë në gjendje kritike dhe prej tyre, çdo ditë shkëputet ndonjë pjesë.

Edhe pse të gjithë udhëheqësit e institucioneve të Kosovës janë zotuar se do ta kthejnë kompleksin në gjendjen e merituar, Jashari thotë se puna në këtë drejtim është shumë e ngadaltë. Madje, kryeministri Avdullah Hoti, në ditën e parë të punës së tij, vizitoi kompleksin në Prekaz dhe premtoi se do ta trajtonte me prioritet çështjen e kullave.

Sidoqoftë, kreu i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari thotë se shpreson që vitin tjetër të nisë puna në terren për restaurimin e kullave që çdo vit tërheqin mijëra vizitorë.  Por ndërkohë, shpresohet që kullat të qëndrojnë në këmbë edhe këtë vit, pavarësisht gjendjes së rëndë në të cilën ndodhen, në pritje të restaurimit.

 

Top Channel