Mijëra qytetarë u mblodhën në Sheshin e Pavarësisë në qendrën e Podgoricës për tubimin e organizuar nga të ashtuquajtura “Shoqata patriotike malazeze”, të cilët janë të pakënaqur me rezultatin e zgjedhjeve dhe për fitoren e grupimeve proserbe të udhëhequr nga Kisha Ortodokse Serbe , të cilët e kundërshtojnë pavarësinë e Malit të Zi.

Të pranishmit mbajnë flamuj shtetërorë të Malit të Zi, pa parulla politike, por me sloganin “Ne nuk do ta japim shtetin”.

Sipas të dhënave të policisë më shumë se gjashtë mijë protestues nga qytetet e ndryshme të Malit të Zi shkuan në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë, kryesisht me makina private dhe me disa autobusë. Ndërkaq, sipas të dhënave të policisë në Sheshin e Pavarësisë gjithsej ishin të pranishëm afro 50 mijë qytetarë.

Para të pranishmëve folën intelektualë të ndryshëm dhe pjesëtarë të pakicave ku theksuan rëndësinë e mbrojtjes së shtetësisë së Malit të Zi.

“Kush përpiqet ti shkatërrojë themelet e Malit të Zi liridashës, do të përballet me rininë malazeze, e cila di ta mbrojë vendin e vet”, u theksua në tubim.

Tubimi u mbajt i qetë dhe nuk u shënua asnjë incident edhe pse partitë pro-serbe paralajmëruan dhunë me pasoja tragjike.

Një tubim i ngjashëm u organizua më 3 shtator në kryeqytetin e vjetër të Malit të Zi, në Cetinje. Ky është tubimi i dytë që po mbahet në Podgoricë që nga zgjedhjet e 30 gushtit, në të cilin partia e Milo Gjukanoviçit humbi shumicën e saj në parlamentin malazez pas 30 vjetësh në pushtet.

Tubimet e organizatave patriotike malazeze pasojnë festimet e dhunshme të opozitës pro-serbe, ku gjatë kremtimit të fitores zgjedhore në natën e 1 shtatorit kënduan këngë serbe dhe brohoritën për Serbinë e Madhe dhe për Kosovën si pjesë e saj. Policia raportoi për rritje të incidenteve midis ithtarëve të partive kundërshtare në Podgoricë dhe tensioneve ndëretnike në qytetin verior të Malit të Zi, në Plevle.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në 30 gusht, ku tri koalicionet e opozitës fituan më shumë se gjysmën e vendeve në përbërjen e ardhshme të parlamentit të Malit të Zi.

Nga 81 vende sa numëron parlamenti i Malit të ZI, Partia Demokratike e Socialistëve e drejtuar nga Milo Gjukanoviç fitoi 40 vende me partitë e pakicave dhe partnerët tradicionalë, ndërsa tre parti të opozitës fituan 41 vende. /VOA/

Top Channel