Shkalla e papunësisë në Shtetet e Bashkuara ka pësuar rënie të ndjeshme në muajin gusht, duke shënuar 8.4 për qind nga 10.2 që ishte në korrik.
Dy muaj nga zgjedhjet presidenciale në Amerikë, ekonomia amerikane ka rifituar deri tani rreth gjysmën e 22 milionë vendeve të punës të humbura nga pandemia. Megjithatë, punësimi mbetet i ngadaltë.
Raporti i së premtes nga Departamenti i Punës tregon se gati gjashtë muaj pasi koronavirusi paralizoi vendin, rimëkëmbja ekonomike është sporadike.
Nga bizneset e vogla tek hotelet, restorantet, linjat ajrore dhe vendet e argëtimit, një numër i madh biznesesh po përpiqen të mbijetojnë në kushtet e humbjes së klientëve, për shkak se infektimet janë ende të larta. Pas rënies në muajt e pranverës, kur ekonomia u tkurr me një normë vjetore prej rreth 30 për qind, rritja është rikthyer, pasi shtetet kanë rihapur të paktën disa pjesë të ekonomive.
Megjithatë, rimëkëmbja e plotë do të kërkojë kohë. Shumë ekonomistë sipas REL mendojnë se një nivel i konsiderueshëm punësimi mund të jetë i vështirë për t’u ruajtur, sepse punëdhënësit po operojnë në një klimë pasigurie për shkak të pandemisë.
Top Channel