Policia e New York vrau me ‘kapuç izolimi’ afro-amerikanin që vdiq nga asfiksia

03/09/2020 19:28

Një afro-amerikan ka vdekur në shtetin e New York pasi i ngalua me anë të “kapuçit të pështymës” dhe u mbajt me fytyrë në tokë për më shumë se dy minuta, është zbuluar së fundmi nga hetimi i kamerave trupore të oficerëve.

41 vjeçari Daniel Prude, i cili kishte probleme mendore dhe nuk ishte i armatosur, u ndalua nga policia në mars dhe atij iu vu në kokë mjeti i ri “kapuçi i pështymës”, që përdoret për të ndaluar që të arrestuarit të pështyjnë apo të kafshojnë.

Ai vdiq nga asfiksia ne incidentin e marsit, por çështja është bërë publike vetëm së fundmi.
Ngjarja ka ndodhur dy muaj para vrasjes së George Floyd.

Floyd vdiq kur një polic i bardhë i mëshonte me gju prapa qafës për rreth tetë minuta gjatë ndalimit në Minnesota, ngjarje e cila solli protesta të gjera në SHBA dhe në botë kundër racizmit.

Sot në një konferencë shtypi vëllai i Prude, Joe tha se kishte qenë ai që thirri policinë më 23 mars kur i vëllai po tregonte shenja të rënda të sëmundjeve mendore.

“Telefonova që vëllai im të merrte ndihmë, jo që të mbytej”, thotë ai.

Punonjësi i fabrikës nga Chicago dhe baba i pesë fëmijëve, Daniel Prude po vizitonte të vëllanë në kohën e vdekjes.

Në pamjet e rënda të kamerave trupore të policisë që u bënë publike me kërkesë të familjarëve, Prude shihet duke vrapuar i zhveshur teksa binte një dëborë e lehtë. Pas ardhjes së policisë ai shihet i shtrirë përtokë duke u arrestuar.

Në video shihet që Prude bashkëpunon menjëherë duke zbatuar urdhrat e oficerëve duke thënë: “Sigurisht, sigurisht.”

Më pas ai bëhet i irrituar, nganjëherë duke pështyrë ndaj oficerëve por nuk tregon rezistencë fizike.
Kur ai pushon së lëvizuri, një nga oficerët dëgjohet që thotë: “Qenka ftohur fare.”

Mjekët që vijnë në skenë përpiqen të rikthejnë në ndërgjegjie, por u shpall i vdekur më 30 mars.

Në një ekzaminim zyrtar të publikuar nga gazetat vendore Democrat e Chronicle vdekja e Prude klasifikohet si vrasje e shkaktuar nga “komplikacionet e asfiksisë në kushtet e kufizimit fizik”.

FOTO GALERI
3/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA