Ambasadori Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, mohoi të jetë shtruar në tryezën e bisedimeve çështja e njohjes së ndërsjellë.
Komentet e tij në rrjetin twitter pasuan njoftimin se në takimin Kosovë – Serbi në Shtëpinë e Bardhë, njohja e ndërsjellë është shtruar si një nga pikat e diskutimeve të ndërmjetësuara nga zoti Grenell dhe Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Robert O’Brien.
Zëri i Amerikës ndoqi më herët një paraqitje të ministrit serb të Financave, Sinisha Mali, i cili tha se palëve u është dorëzuar një dokument ku përfshihet një pikë që parashikon njohjen e ndërsjellë.
“Temat ekonomike nuk janë kryesoret, sic kemi pritur. Pika e dhjetë e listës që na është paraqitur flet për njohjen e ndërsjellë, ndërsa të gjitha 16 pikat janë politike dhe jo ekonomike”, tha ai.
“Ky është propozimi më i keq që kemi parë në historinë e bisedimeve tona me shqiptarët e Kosovës. Por ne nuk do të heqim dorë dhe do të luftojmë”, tha ministri serb.
Ai tha se po ushtrohet trysni mbi presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili kishte paralajmëruar se mund të ketë “befasi gjatë takimit”.
Ndërkohë, Këshilli për Siguri Kombëtare shkroi se “udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës tashmë po shënojnë përparim. Bisedat tona këtë mëngjes u përqendruan në forcimin e lidhjeve ekonomike dhe normalizimin ekonomik. Presim të diskutojmë më tej këtë pasdite”.
Kosova dhe Serbia bisedojnë sot në Shtëpinë e Bardhë, për herë të parë në një nivel të lartë të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Para takimit ishte thënë se bisedimet do të përqendrohen tek çështjet ekonomike dhe se Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë plan sekret për zgjidhjen politike.
Më herët gjatë ditës ambasadori Grenell, shkroi se populli i Kosovës dhe i Serbisë meritojnë normalizimin ekonomik dhe shansin për të krijuar një ekonomi të zhvilluar. Në një postim në rrjetin tëitter ai tha se “sot është i përqendruar te të rinjtë që duan një karrierë, një punë të mirë dhe një lidhje me perëndimin. Le ta lëmë mënjanë politikën”, shkroi ai.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha para se të fillonte takimi se me Serbinë do të bisedohet vetëm për njohjen e ndërsjellë, ndërsa presidenti serb, tha se pret takim të vështirë, por “dorëzimi nuk është një opsion”./VOA
Top Channel