Kreu i Samsung paditet sërish për manovrat ilegale të tregut në Korenë e Jugut

02/09/2020 21:41

Drejtuesi i gjigandit koreano-jugor të elektronikës Samsung, Lee Jae-yong mund të rikthehet së shpejti përsëri në burg.

Zv. kryetari miliarder i kompanisë, bir i themeluesit të sëmurë të saj Lee Kun-hee, u padit sot nga autoritetet për një shkrirje të kontestuar të kompanive në vitin 2015, me të cilën ai ka shtuar kontrollin mbi biznesin.

Prokurorët e Seulit thanë se do të intervistojnë 11 drejtues ekzekutivë të Samsung, përfshi edhe Lee, për të parë nëse do të akuzohen për transaksione ilegale, manipulim në tregjet e aksioneve dhe dëshmi të rreme.

Avokatët e Samsung mohojnë akuzat duke thënë në një deklaratë se janë “pretendime të njëanshme të pabazuar në prova dhe të pavërteta.”

Lee, i njohur edhe si Jay Y. Lee, është shpallur më parë fajtor për korrupsion e ryshfet në 2017. Asokohe ai u dënua me pesë vjet burg por u lirua në më pak se një vit kur gjykata e apelit pezulloi disa nga akuzat dhe reduktoi dënimin.

Prokurorët thanë se ristrukturimi i kompanive Samsung C&T and Cheil Industries në 2015 u bë në mënyrë që të lejonte forcimin e kontrollit të Lee mbi Samsung Electronics, që është dhe xhevahiri i kurorës së perandorisë së biznesit të familjes së tij.

Prokurorët thonë se gjatë shkrirjes Lee dhe ekzekutivët e tij kanë shpërndarë informacione të rreme, kryen lobim ilegal dhe manipuluan tregun e aksioneve.

Samsung dhe degët e saj përbëjnë rreth 15% të të gjithë ekonomisë së Koresë së Jugut. Samsung Electronics, dega më e madhe e grupit, është një nga prodhuesit më të mëdhenj të botës.

Lee ka qenë drejtuesi ‘de facto’ i Samsung që kur babai i tij mbeti i gjymtuar fizikisht nga një atak kardiak në 2014.

FOTO GALERI
2/3
Avokatët e Samsung mohojnë akuzat duke thënë në një deklaratë se janë "pretendime të njëanshme."

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA