Gati hapja/“Rruga e Durrësit” bëhet me një kalim, Veliaj: Nuk ishte investuar që nga koha e italianit

02/09/2020 12:42

Rruga e Durrësit, një prej kantiereve ku gjatë verës është punuar me ritme të shpejta, po transformohet plotësisht falë projektit të rikualifikimit të Bashkisë së Tiranës. Për pak ditë, investimi për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve dhe rikonstruksionin e rrjetit të ujësjellësit do të zgjidhë problemin e furnizimit me ujë të pijshëm për gjithë zonën veriore të kryeqytetit.

Kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh se ky investim është një tjetër premtim i mbajtur për banorët e njësisë. “Ajo që po ndodh tek ‘Rruga e Durrësit’ është diçka që nuk ka ndodhur që në kohën e Italisë. Kemi pasur një tubacion uji, i cili mbajti Tiranën fashiste, Tiranën naziste, Tiranën komuniste dhe Tiranën e viteve të tranzicionit; ishte i njëjti rrjet i trashëguar nga italianët. Në këtë aks, në tubacionet e vjetra shkarkoheshin edhe uji i shiut, edhe kanalet e zeza. Me këtë investim zgjidhim edhe furnizimin me ujë, duke shtuar dy rrjete në secilën anë të Rrugës së Durrësit. Kështu, mbajmë premtimin që i dhamë kësaj njësie për 24 orë ujë”, u shpreh Veliaj.

Rruga e Durrësit do të shërbejë tashmë si portë kryesore hyrëse për Tiranën, duke u kthyer në zonë me një kalim për automjetet, ndërkohë që për herë të parë do të ketë edhe një korsi të dedikuar për autobusët. “Do të eksperimentojmë ‘Rrugën e Durrësit’ me një kalim, pra si portën hyrëse të Tiranës, kurse shkarkimin do ta bëjmë nga rruga “Mine Peza”, e cila gjithashtu lidhet me ‘Zogun e Zi’. Do të kemi për herë të parë një korsi të dedikuar për autobusët, trotuare të reja dhe të gjera për këmbësorët, dhe një korsi të dedikuar për biçikletat,” u shpreh kryebashkiaku. Ai shtoi se puna në këtë aks mbaron për pak ditë, çka do t’i kthejë “Rrugës së Durrësit” shkëlqimin dhe gjallërinë e dikurshme.

Veliaj tha se me të njëjtat ritme po punohet edhe për shkollat e reja, që po ndërtohen pas dëmtimit të tërmetit të 26 Nëntorit. “Këtë vit shkollor kemi 3 shkolla totalisht të reja: shkolla “1 qershori” në Njësinë 5 dhe 6, shkolla “Jeronim De Rada”, të cilën e bëmë me miqtë tanë të Katarit në Njësinë 9 dhe 10, dhe shkollën e Lalmit, që u bë në kohë rekord gjatë verës. Pastaj, do vazhdojmë me shkollat e reja pas të tërmetit. Për një pjesë të madhe të shkollave të dëmtuara nga tërmeti nuk do presim gjatë, por do kapim semestrin e dytë”, u shpreh ai, duke shtuar se do të kapen të gjitha afatet, pavarësisht se shkollat e reja po ndërtohen me hapësira shumë herë më të mëdha se ato ekzistueset.

“Askush s’duhet të habitet nga vrulli i ndërtimit të shkollave. Duke qenë se shkolla “Sami Frashëri” do të jetë dy herë më e madhe, pra kalon nga 24 në 48 klasa, sigurisht që do kushtojë dy herë më shumë. Ndaj, ata që e kishin Tiranën dhe nuk punuan asnjë ditë, nuk ndërtuan dot një shkollë, nuk duhet të habiten. Shkolla dy herë apo tre herë më të mëdha kushtojnë dy ose tre herë më shumë. Ajo që ka rëndësi është se kur të mbarojë, do flasë vepra dhe jo llafet, siç foli fusha në Laprakë, siç foli Sheshi “Skënderbej”, siç foli “Pazari i Ri”, siç foli Liqeni, siç foli Stadiumi, Parku Olimpik dhe të gjitha investimet e tjera. Për të gjithë ata që e kanë më të rëndësishme partinë se familjen, të vazhdojnë punën e partisë, por unë besoj se 99% e këtij qyteti e ka familjen më të rëndësishme se partinë. Në këto shkolla, jo vetëm këto që hapim tani, por edhe në ato që kemi proces, do shkojnë si fëmijët e majtë, ashtu edhe fëmijët e familjeve të djathta. Për sa kohë që dalin me 10-ta dhe bëhen krenaria e këtij qyteti, nuk më intereson fare çfarë thotë një minorancë shumë e vogël, që vetë nuk bëri dot një shkollë dhe mallkon faktin që po i bëjmë shkollat dy apo tre herë më të mëdha,” u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Furnizimi me ujë i kësaj zone mbyll totalisht Unazën, duke filluar nga rruga e “Kavajës” tek “Vasil Shanto”, “21 Dhjetori” dhe “Zogu i Zi, ndërsa pritet që të vazhdohet me projektin e “Kombinatit”.

Top Channel