Një zyrtar i lartë i ushtrisë së Francës është arrestuar si i dyshuar për spiunazh për shërbimet sekrete ruse.
Ministrja franceze e mbrojtjes Florence Parly, konfirmoi sot lajmin dhe tha se çështja është dorëzuar te prokurorët.
Ajo tha për radion Europe 1: “Ajo çfarë mund të konfirmoj është se janë hapur procedurat për thyerje të sigurisë. Ne kemi marrë të gjitha masat e nevojshme dhe tashmë është e rëndësishme që sistemi i drejtësisë të punojë sipas parimit të sekretit të hetimeve”.
Megjithse ajo refuzoi të jepte më shumë detaje, mediat vendase thanë se oficeri në fjalë ka origjinë ruse dhe flet rrjedhshëm rusisht. Burimet thonë se ai punonte në një bazë të NATO-s në Itali.
Burimet thanë se i dyshuari ishte ndaluar teksa do të kthehej në Itali pas pushimeve në Francë, dhe se po mbahet në një burg në Paris.
Rrjeti Europe 1 tha se ushtaraku u padit pasi u dëshmua se bashkëpunonte me një agjent rus të shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse GRU.
Një zyrtar gjyqësor tha për mediat se oficeri u ndalua me akuza si “shkëmbim inteligjence me fuqi të huaja, në kundërshtim me interesat themelore të kombit”.
Nëse shpallet fajtor ai mund të dënohet me deri në 15 vjet burg.
Top Channel