Kryeministri Edi Rama nën cilësinë e kreut të OSBE nga Viena,  e ka cilësuar angazhimin e tij dhe të Shqipërisë në OSBE për të zgjidhur konfliktin në Bjellorusi, një “nder të madh” për vendin.

Sipas kryeministrit, të gjithë duhet të jenë të kënaqur, pasi vendi do të marrë një kuotë shumë të lartë në arenën ndërkombëtare.

Më tej ai u shpreh se OSBE-ja nuk do të mbajë anë dhe nuk do bëjë rolin e vjetëruar të ndërmjetësimit, por do të dëgjojë palët dhe t’i këshillojë, ndërsa do të jenë vetë bjellorusët që do të vendosin në fund.

“Sot pati një shkëmbi interesant të opinioneve. Të gjitha atyre që thonë se ç’punë kemi ne…Ky është një nder i madh për Shqipërinë. Në imazhin e Shqipërisë reale dhe respektit për Shqipërinë nga të gjithë partnerët tanë. Pak rëndësi ka që këtë rol me qëlloi mua për ta bërë. Shqipëria u përpoq për të marrë kryesimin dhe ne e morëm këtë. Rëndësi ka që ne po e drejtojmë dhe po merr nota tejet të larta vlerësimi nga të gjithë partnerët tanë. Nuk është proces elektoral në Vienë apo të bëjmë politikë të brendshme. Po nderojmë vendin tonë dhe Shqipëria do të jetë në një kuotë më të lartë.” tha Rama.

Kreu i OSBE-së Edi Rama tha se ditën e sotme në mbledhjen e Këshillit Special të organizatës, ambasadori i Bjellorusisë nuk e refuzoi ftesën për dialog që u ofrua. I pyetur se kur do të shkojë në Bjellorusi, Rama tha: Nga ana bjelloruse e nuk ka refuzim. Edhe sot ambasadori i tyre nuk ishte refuzues. Por tha se në kohën e duhur ne do të japim përgjigjen tonë.  Më vjen mirë që kemi pasur koordinim me palën Amerikane dhe me palën Ruse, apo edhe me miqtë e pandarë gjerman. Do shohim si do shkojë procesi. Ky është një nder i madh për Shqipërinë. Ky është një moment ku Shqipëria udhëheq OSBE-në me ide dhe me një lidership që vlerësohet nga të gjithë për qasjen dhe komunikimin.

Top Channel