Rrezik për një stuhi vdekjeprurëse! Uragani shkatërrimtar Laura prek brigjet e Luizianës

27/08/2020 11:09

Uragani Laura ka goditur brigjet e Luizianës me erëra të fuqishme dhe përmbytje në shtetin amerikan.

Uragani i kategorisë katër, pritet të shkaktojë një stuhi vdekjeprurëse, ndërsa lëviz më thellë në brendësi të tokës me erëra që kapin shpejtësinë e 240 km në orë. Nëse këto parametra ruhen, atëherë ai do të jetë një nga stuhitë më të fuqishme që ka goditur ndonjëherë brigjet jugore të Shteteve të Bashkuara. Gjysmë milioni banorë janë evakuuar nga pjesë të Teksasit dhe Luizianës. Uragani Laura preku tokën pak pas mesnate sipas orës lokale, afër distriktit Cameron, në Luiziana. Shërbimi kombëtar i Motit paralajmëroi se nëse ndonjë banor do të mbetej në ose pranë trajektores së stuhisë katastrofike do të duhej të merrte masa emergjente për të mbrojtur jetën, në një dhomë të fortë të brendshme dhe larg dritareve.

Më shumë se 190 mijë shtëpi në Luiziana mbetën pa energji elektrike orët e para të së enjtes. Në Teksas më shumë se 45 mijë shtëpi patën të njëjtin fat. Laura dhe një tjetër stuhi, Marco, përshkuan më herët Karaibet duke i marrë jetën 24 personave. Marko goditi Luizianën të hënën, me erëra të forta dhe shira të rrëmbyeshëm.

Fillimisht ekzistonte frika se të dyja stuhitë mund ta godisnin Luizianën si Uraganë brenda një harku kohor prej 48 orësh, një event ky i paprecedentë, por Marko u dobësua duke u kthyer në stuhi tropikale. Laura në anën tjetër është forcuar dukshëm nga një uragan i kategorisë tre në uragan të kategorisë katër duke marrë 70 përqind më shumë forcë në vetëm 24 orë.

Tani ajo po i afrohet një stuhie të kategorisë pesë, që është edhe shkalla maksimale e klasifikimit, me erëra që shkojnë në 254 km në orë. Uragani Katrina, që shkatërroi Nju Rolinsin në 2005-ën dhe vrau më shumë se 1800 persona, ishte një stuhi e kategorisë pesë para se të dobësohej në një stuhi të kategorisë tre kur preku pjesën e brendshme të Shteteve të Bashkuara.

FOTO GALERI
5/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA