Në Bruksel vazhdon sot dialogu midis Kosovës dhe Serbisë në nivel të ekspertëve.
Në raundet e deritashme të bisedimeve të këtij niveli, që kanë nisur muajin e kaluar, është diskutuar për të pagjeturit, për të zhvendosurit dhe për bashkëpunimin ekonomik.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha të mërkurën se në takimin e sotëm do të diskutohet po ashtu për çështje të bashkëpunimit ekonomik.
Delegacioni i Kosovës në bisedimet e nivelit të ekspertëve udhëhiqet nga koordinatori shtetëror për dialogun, Skender Hyseni, ndërsa ai i Serbisë nga shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Marko Gjuriq.
Burimet diplomatike në Bashkimin Evropian paralajmëruan se në fillim të shtatorit do të mund të zhvillohet edhe një raund i bisedimeve të nivelit të lartë midis kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Më 4 shtator, ndërkaq, Hoti dhe Vuçiq pritet të takohen në Uashington, me ftesë të këshilltarit për Siguri Kombëtare të SHBA-së, Robert O’Brein.
Bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë kanë për synim normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Top Channel