“Super ushqim”/ Koreja e Veriut, qeveria urdhëron sekuestrimin e qenve për t’i përdorur për mish

26/08/2020 09:02

Kim Jong-Un e quan mbajtjen e qenëve si kafshë shtëpiake si prirje e degjeneruar borgjeze dhe urdhëron sekuestrimin e therjen e tyre. Shkaku është mungesa e ushqimeve, sidomos e mishit.

Sipas mediave koreanojugore pushtetmbajtësi i Koresë së Veriut ka urdhëruar pronarët e kafshëve shtëpiake që t’i dorëzojnë ato për t’i therur, për të përballuar kështu urinë masive në radhët e popullsisë. Në Korenë e Veriut thuhet se ka një pakënaqësi në rritje të popullsisë për shkak të situatës së vështirë ekonomike në vend dhe mungesës së ushqimit. 

“Prirje e degjeneruar borgjeze”

“Njerëzit e thjeshtë në Korenë e Veriut mbajnë sidomos derra dhe kafshë të tjera të dobishme, por zyrtarët e lartë të qeverisë dhe të pasurit mbajnë kafshë shtëpiake si qen apo mace dhe kjo ka shkaktuar pakënaqësi”, i tha një burim gazetës koreano-jugore Qosum Ilbo.

Thuhet se sundimtari Kim Jong-Un e ka ndaluar që në korrik me ligj mbajtjen e kafshëve shtëpiake, sepse sipas tij kjo është “një prirje e degjeneruar e borgjezisë”.

Nis identifikimi i familjeve që mbajnë qen

Punonjës të inspektorateve koreano-jugore kanë nisur identifikimin e familjeve që mbajnë qen dhe u kërkojnë atyre t’i dorëzojnë kafshët e tyre në thertore dhe kombinate për prodhimin e mishit.

Nëse ata nuk e bëjnë këtë vullnetarisht, atëhere atyre u sekuestrohen qentë me forcë dhe u dorëzohen kopshteve zoologjike ose restoranteve.

Reklamë mishit të qenit

Për shkak të mungesës së ushqimeve, sidomos të mishit ka disa vite që agjencia shtetërore e lajmeve dhe mediet e Koresë së Veriut i bëjnë reklamë mishit të qenit, i cili gjoja sjell përfitime të shumta shëndetësore. Në kanalin propagandistik DPRK-Today që transmeton përmes Youtube pretendohet se mishi i qenve është një “super ushqim” që përmbante më shumë vitamina sesa mishi i pulës, i derrit, i viçit apo i rosave dhe është i mirë për zorrët dhe stomakun.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA