Epidemia e COVID-19 preku ndër të tjera libraritë kudo në botë, duke i detyruar këto sipërmarrje t’u kthehen veprimeve në internet përmes platformave të tregtisë elektronike.

Në shkrimet e shenjta thuhet se nevoja është nëna e imagjinatës, ndaj dhe për këtë arsye, biznese të tilla po përpiqen të gjejnë mënyra krijuese për t’i mbajtur afër klientët. Po cfarë dëmi po pësojnë libraritë në këto kohë të errëta? Si ndryshoi raporti me lexuesin? A janë trembur librarët? Ne shëtitëm në disa prej librarive të kryeqytetit dhe u munduam të mësonim shumë çka mbi atë që lamë pas dhe atë çfarë na pret.

Sipas Adrion, gjatë vitit 2019 zhanret më shumë të shitur ishin motivimi dhe psikologjia, sidomos gjatë verës se është letërsi më e lehtë por gjithashtu dhe biografitë janë libra që janë shitur shumë. Duket se shqiptarët janë shumë kuriozë për të ditur dicka më shumë përtej jetës publike të personaliteteve.

Albert Gjoka, menaxher i bukinist.al thotë se ka pasur një rritje deri në 50- 60 % krahasuar me vitet 2017 -2018. Sa i përket zhanrit më të kërkuar është romani që vjen i pari, dhe një përqindje relativisht të vogël e zë dhe romani shqip ku mes tyre janë Ismail kadare, Fatos Kongoli, Mira Meksi, Ben Blushi, e shumë të tjerë.

Bazuar në këto përqindje që ofrojnë librarët, shitjet e librave duket se kanë shënuar rritje në kurbën e tyre. E vogël diferenca thonë ata, por e kënaqshme nga viti në vit. Megjithatë këto janë vetëm pohime të tyre. Ajo që kërkuam ishte diçka më shumë e që nuk na u dha. Shifrat dhe tabelat financiare të cilat munguan. Megjithatë ne vazhduam hulumtimin tonë. Cfarë ndodhi kur pandemia shpërtheu?

Albert Gjoka (menaxher i bukinist.al): Gjatë periudhës së pandemisë ne patëm një trefishim të numrit të kërkesave për arsye se ne për asnjë cast nuk e pushuam punën. Dhe libri i shitjeve fizike kaloi në platformën online bukinist.. për ne ishte një periudhë shumë e mirë sa i përket tregut të librit. ..

Arta Topuzi (Librari Art’s): Bumi i shitjeve ishte kur njerëzit u karantinuan… sepse ndoshta njerëzit kishin më shumë kohë dhe duke menduar se koha është e gjatë brenda dhe se çfarë duhet të bëjnë ju kthyen librit dhe ishin më të fokusuar te libri…

Në një epokë të burimeve jo shpesh të besueshme, njerëzit gjithnjë e më shumë po kërkojnë libra me informacion të besueshëm ndërsa blenë jo pak libra jo-artistikë. Madje duhet thënë se shitja e tyre është rritur ndjeshëm krahasimisht me romanin artistik. Në vend të parë janë kërkuar më së shumti librat motivues psikologjik. Në vend të dytë përgjithësisht kanë lëvizur biografitë por që nuk kanë pasur ndonjë hendek të madh me romancat dhe dramat të cilat janë libra që do të ishin perfekt për pushimet verore.

Enxhi Hudhri e librarisë Onufri thotë se gjatë pandemisë janë shitur libra që kanë pasur lidhje me pandemitë në kohëra të ndryshme sic është ‘Dashuria në kohërat e kolerës’, ‘Murtaja’ e Kamy-së.

Sic dhe e dëgjuam librarët na treguan për një histori suksesi para-Covid dhe gjatë tij, por ato, nuk pasqyrojnë sfidat e rëndësishme me të cilat pritet të përballen. Përkundër këtyre vështirësive, ata pranojnë se ndjehen të pasigurt në këtë betejë të re që për hir të së vërtetës ka nisur shumë më herët, atëherë kur platformat online erdhën në duart e një brezi të ri. Cfarë po ndodh tani? Si është shitja e lirbrave?

Albert Gjoka( menaxher i bukinist.al): Ka patur deri diku një rënie graduale. Lidhur kjo dhe me situatën ekonomike. Me frikën dhe panikun e konsumatorëve.. për të ulur shpenzimet e tyre ku libri është në rendin e parë por duhet thënë se edhe në këtë moment që flasim niveli i shitjes te bukinist është më i lartë sesa në periudhën korrik -gusht 2019.

Enxhi Hudhri: Shitjet më të lartë kanë qenë gjatë pandemisë duke qenë se kanë qenë libraritë e hapura dhe s’ka pasur as kafenetë …Kohët e fundit ka pasuar pak rënie ndoshta se njerëzit janë në lëvizje …

Brikena Lika (Albania): …para pandemisë ka qenë disi më ndryshe një numër shitjesh mesatare dhe pas pandemisë në javën e parë që libraria është hapur ka patur të njëjtën nivel por pak më mirë.. dhe tashmë është ulur sërish. Nuk janë më shitjet si kanë qenë.

Librarët parashikojnë ulje të të ardhurave prej shitjeve të librit si rezultat i krizës Covid-19, me libraritë e mbyllura disa javë; datat e botimit që kanë qenë në proces janë shtyrë; porositë për shumë libra janë anuluar ashtu sikurse eventet apo udhëtimet e autorit. Pa harruar stinën e nxehtë të verës pa turistë, të cilët shenjonin një forcë të madhe shtysëse për librat në qarkullim. Cilat janë sfidat që i presin?

Të paktën në ‘Adrion’ thonw se i penalizoi më shumë turizmi dhe emigrantët, pra lexuesi shqiptar që jeton jashtë kufijve të Shqipërisë nuk ka lëvizur shumë, sepse shqiptarët e Kosovës mund të lëvznin më lirshëm. Turistët i penalizuan shumë mbi librat në gjuhë të huaja.

Sipas tyre sfidat janë zinxhirë; fillojnë që nga krijuesi, botuesi, vijnë tek ne dhe cdo gjë është zinxhir, nuk kam parë asgjë konkrete dhe nuk po shoh asgjë konkret, ne përpiqemi të bëjmë aq sa mundemi…. Sic është stepur cdo biznes në Shqipëri edhe botuesit janë stepur pak në tirazhin e botimit të librave apo titujt e rinj.

Por a po flasin librarët për thelbin e problemit? A e kuptojnë ata se cfarë mungon? Turistët, diskutimet për librin, marketing më i mirë për librin… shumë nga këto qëndrojnë. Por ndalemi për një cast: Shqiptarët po flasin më shumë anglisht se shqip, sepse anglisht lexojnë. Sepse e gjithë letërsia angleze, nga Shekspiri te Kiplingu, është në telefon. Të mos ankohemi nga brezi i ri. Atij cfarë i japim lexon, po çfarë i japim? Cila vepër e Kadaresë apo e ndonjë autori tjetër është në eBook? Cila traditë e letërsisë është në pdf? Të gjitha vendimet qeveritare dalin menjëherë online. Po libri, sa del? Ndaj nëse presim të rritet leximi me librin e shtypur, nuk kemi kuptuar se në ç’kohë jetojmë.

Top Channel